Mark Frroku, procesi në Tiranë? Vijnë në Shqipëri fashikujt e dosjes nga Belgjika

01/05/2015 00:00

Deputeti demokristian Mark Frroku ka shanset që t’i nënshtrohet drejtësisë shqiptare dhe jo asaj belge edhe për dyshimet e vrasjes së shtetasit Aleksandër Kurti në Bruksel.

Kjo, pasi pas shkresës me numër 2851 të nisur nga Interpoli, Belgjika ka deleguar një fashikull hetimor prej 2.500 faqesh në adresë të deputetit Mark Frroku dhe një shtetasi tjetër të bashkakuzuar më të, Arjan Bytyçi.

Materiali është përcjellë në Ministrinë e Drejtësisë, e cila po e përkthen në mënyrë që të jetë në funksion të procedimit penal numër dy të regjistruar nga Prokuroria e Përgjithshme për dyshimet e vrasjes me paramendim të kryer në bashkëpunim.

Në materialin e dërguar, shtetasi Mark Frroku identifikohet nga belgët edhe me tre idenditete si Besnik Morina, Dritan Frroku dhe Pirro Sofrani.

Prokuroria e Përgjithshme pohon për Top Channel se, nëse hetimet dhe gjykimi përfundojnë para gjyqit që po zhvillohet me të njëjtin objekt themeli në Bruksel, atëherë, sipas legjislacionit, verdikti merr formë të prerë në vendin përkatës.

Por, duke parë se drejtësia shqiptare i zvarrit proceset, ajo që mbetet për t’u parë është nëse do të jetë me të njëjtin ritëm gjyqësor apo jo edhe rasti i Mark Frrokut.

Nga ana tjetër, të hënën Frrokut do t’i komunikohet akuza për një dosje tjetër, në lidhje me çështjen “Doshi”, ndërsa organi i akuzës e ka atë nën hetim edhe për fshehje pasurie e pastrim parash.

Të gjitha këto zhvillime që po ndodhin, deputeti Frroku, nën arrest, po i ndjek nga spitali i burgut për shkak të problemeve shëndetësore.

Top Channel