Ditë më të nxehta do të vijnë

01/05/2015 00:00

Për Anglinë Qendrore, viti i kaluar ishte më i nxehti, që nga fillimi i regjistrimeve. Por studiuesit parashikojnë se, vendi i shiut e vranësirave do të ngrohet edhe më shumë, dhe kjo për shkak të efektit serë, që i bën verat e tanishme mjaft më të ashpra, se ato të një shekulli më parë.

Rrezet përvëluese të diellit, siç janë parë shpesh kohët e fundit në Britani, mund të kthehen në një fenomen të zakontë. Analizat e detajuara të tabelave të “Central England Temperature”, përmbledhja e gjatë e të dhënave të temperaturave nëpër botë, me shënimet e para që datojnë në 1659-n, tregon se aktivitetet njerëzore kanë një influencë të jashtëzakonshme mbi valët e të nxehtit të regjistruara në këtë vend.

Është raportuar se gjatë 60 viteve të fundit ka pasur një ngrohje të shpejtë, e cila vitin e kaluar solli edhe një mesatare rekord të temperaturave vjetore në Angli prej 10.93 gradësh. Duke përdorur krahasimin e të dhënave në dekada dhe simulimet kompjuterike, shkencëtarët kanë dalë në përfundimin se, edhe Europa në tërësi duhet të përgatitet për vite më të nxehta.

Kërkimet e fundit dëshmojnë se ndryshimet klimaterike të shkaktuara prej vetë njeriut shtojnë ndjeshëm mundësitë e përjetimit të temperaturave rekord anembanë globit. Vetëm për Mbretërinë e Bashkuar, rreziku i valëve rekord të të nxehtit është rritur më 10 herë.

Sipas CET-së, 2014-a ishte viti më i ngrohtë i të gjitha kohërave për Anglinë Qendrore, me temperaturat që shënonin 1,1 gradë mbi mesataren afatgjatë.

Top Channel