Kosovë, paralajmërohen lëvizje në stafin diplomatik

01/05/2015 00:00

Qeveria e Kosovës ka planifikuar një rotacion në stafin diplomatik të saj. Ministria e Punëve të Jashtme po planifikon, që së shpejti të lëvizë 6-7 ambasadorë dhe konsuj të përgjithshëm dhe po aq planifikohen të futen në rotacion edhe vitin e ardhshëm.

Zëvendësministri i Punëve të Jashtme, Petrit Selimi ka thënë përmes telefonit për Top Channel se, diplomatët e rinj, që do të vendosen në qendrat ku Kosova ka përfaqësi diplomatike, do të rekrutohen nga brenda dhe jashtë Kosovës, në bashkëpunim të ngushtë mes ministrit të Jashtëm, kryeministrit dhe Presidentes.

Paralajmërimi i Ministrisë së Jashtme për rotacion të disa ambasadorëve, të cilët janë njoftuar se do të lëvizin dhe mund të kthehen edhe në Prishtinë për të punuar në Ministrinë e Jashtme, ka bërë që ambasadori kosovar në Zvicër, Naim Malaj të japë dorëheqje.

Edhe ambasadori i Kosovës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Akan Ismajli po ashtu nuk do të vazhdojë të jetë pjesë e stafit diplomatik.

Zëvendësministri Petrit Selimi ka vlerësuar punën e deritashme të ambasadorit kosovar në Zvicër, ndërsa për ambasadorin Ismajli tha se, që kur është emëruar ka lënë të kuptohet se do të qëndronte vetëm për një mandat.

Selimi tha se përfaqësimi në Uashington është shumë i rëndësishëm për Kosovën, ndaj sipas tij atje kanë dërguar dhe do të dërgojnë njerëzit më të mirë të Kosovës.

Dorëheqja e ambasadorëve, të cilët nuk mund të kthehen në Prishtinë, mund të lidhet edhe me faktin e pagës së një diplomati në Prishtinë, e cila është 80 përqind më e vogël, se ajo e një ambasadori.

Zëvendësministri Selimi ka thënë se Kosova, gjatë vitit 2015 do të hapë vetëm një Ambasadë të re në Kanada.

Sipas Selimit, Kosova duhet të ketë një balancim midis nevojave kombëtare dhe mundësive financiare, ndaj preferojnë të kenë më shumë buxhet për aktivitete nëpër Ambasada, sesa ndërtesa me diplomatë pa qëllime dhe pa parà.

Top Channel