Gazsjellësi TAP, përjashtime nga disa rregulla të BE-së

01/05/2015 00:00

Gazsjellësi Trans-Adriatik (TAP) përfiton një zgjatje të periudhës së vlefshmërisë së përjashtimit të projektit nga disa dispozita të Direktivës së Gazit të BE-së, që kanë të bëjnë me qasjen e palëve të treta në tubacionet e tij, ndërsa shtyn deri në dy vite datën e nisjes së furnizimit me gaz në Europë.

Dy ditë më parë, tre Autoritetet Rregullatore në vendet pritëse të TAP-it; Greqi, Itali dhe Shqipëri; publikuan një opinion të përbashkët, i zbatuar me vendimet në nivel kombëtar, siç njoftohet, i cili pason miratimin nga Komisioni Europian dhe mendimin pozitiv të Sekretariatit të Komunitetit Energjetik.

Rregullat e tregut të brendshëm në Bashkimin Europian, zakonisht kërkojnë qasje të palës së tretë në të gjithë infrastrukturën e energjisë, përfshirë dhe në tubacionet e gazit. Mirëpo, sipas Komisionit, TAP është një nismë tregtare jo e vendosur nga ndonjë nga shtetet, ku kalon projekti.

Aksionerët investojnë në një projekt të tillë vetëm nëse janë të sigurt, se rreziqet e mundshme mbulohen maksimalisht. Dhënia e një përjashtimi nga rregullat e BE-së mbron investitorët privatë nga rreziqe të caktuara dhe e bën një projekt të tillë të realizueshëm, çfarë nuk do të ishte rasti pa përjashtimin në fjalë.

Konsorciumi “Shah Deniz”, që furnizon gazsjellësin TAP nga deti Kaspik, ka njoftuar për një mundësi të re kohore për datën e veprimit, prej 1 Janarit deri më 31 Dhjetor 2020. Vendimi i ri i Komisionit përcakton se përjashtimi humbet efekt, nëse ndërtimi i TAP-it nuk do të ketë nisur më 16 Maj 2016 dhe në rast se infrastruktura nuk është bërë operacionale deri më 31 Dhjetor 2020. Për pasojë, kjo shtyn deri në dy vite datën e hyrjes në fuqi për funksionimin e gazsjellësit.

Në 2013-n, kur TAP siguroi përjashtim për disa prej dispozitave të Direktivës së Gazit të BE-së (2009/73), përfshirë përjashtimin e qasjes së palës së tretë për një kapacitet fillestar prej 10 miliardë metra kub në vit, për vëllimet e gazit nga Azerbajxhani siguruar nga “Shah Deniz”, sipas marrëveshjeve përkatëse të shitjes për një periudhë 25-vjeçare, Komisioni përcaktonte se ky përjashtim nuk kishte efekt, nëse gazsjellësi nuk do të ishte funksional më 1 Janar 2019.

Përgatiti: Arta TOZAJ

Top Channel