SHBA, policia akuzohet për vrasjen e Freddie Gray

01/05/2015 00:00

Vdekja misterioze e Freddie Gray në Baltimore të Shteteve të Bashkuara do të trajtohet si vrasje dhe për këtë do të nisin hetimet kundër policisë.

Kështu njoftoi kryeprokurorja e Merilendit, Marilyn Mosby. Ajo tha se vdekja e Gray-t, 25-vjeç, ishte shkaktuar nga goditje të forta në mjekër e shtyllën kurrizore, ndërkohë që ishte vendosur në kamionin transportues të policisë i prangosur dhe pa rripin e sigurimit.

Mosby shkoi më tej kur tha se arrestimi i Gray më 12 Prill ishte i paligjshëm. 25-vjeçarit iu gjet një thikë në momentin e arrestimit, por brenda përmasave që lejon ligji i Merilendit.

Funerali i 25-vjeçarit, i mbajtur të hënën, u pasua nga trazira të mëdha, përleshje të demonstruesve me policinë, zjarrvënie e grabitje që po përhapen edhe në shtete të tjera të SHBA. Që prej asaj dite, në Baltimore është vendosur ndalimqarkullimi nga ora 22 e darkës deri në 5 të mëngjesit. Disa orë përpara se të niste nata e dytë e ndalimqarkullimit, mbrëmjen e së mërkurës në rrugët e qytetit u mbajt një tjetër marshim gjigant.

Besohet se i riu ka marrë plagët vdekjeprurëse përgjatë asaj që në Baltimore e quajnë “xhiro e egër”. Në Filadelfia kanë një tjetër emër për të, “xhiro nikeli”, një referencë për parqet e dikurshme të argëtimit, ku të merrje një makinë lojërash kushtonte 5 cent.

Në pjesë të tjera të Shteteve të Bashkuara e njohin me emra të tjerë. Pavarësisht përcaktimit, në thelb është e njëjta gjë: është termi i përdorur në rastin e një praktike të errët të policisë amerikane kur të dyshuarit e ulur me duart me pranga apo të shtrirë me fytyrën nga toka në pjesën e pasme të furgonit të policisë i nënshtrohen një trajtimi special deri në komisariat.

Efektivi në timon i jep mjetit fort dhe keq, duke e kaluar qëllimisht me egërsi nëpër çdo pjesë të deformuar të rrugës e duke manovruar në mënyrë të tillë, që prapa të ketë goditje sa më të forta, të cilat mund të dëmtojnë po aq shumë sa edhe një shkop gome.

Top Channel