F1, 21 vite pa Ayrton Sennan. Ja 5 garat më spektakolare të tij

01/05/2015 00:00

Plot 21 vite më parë, Ayrton Senna ndahej tragjikisht nga jeta, gjatë fundjavës së garave sportive të cilat zhvilloheshin në Imola të San Marinos. Një prej pilotëve më të mirë të historisë, një kampion absolut, të cilin shumëkush e mban mend ende, ndërsa për disa të tjerë që nuk e kanë parë të garojë… Ja 5 garat më spektakolare të zhvilluara prej brazilianit gjatë karrierës së tij.

1. 1984 – Çmimi i Madh i Monakosë, Montekarlo
Ishte gara, në të cilën për herë të parë u kuptua se Ayrton Senna ishte një pilot special, apo më saktë “mbreti i shiut”. Në Principatë, ai garoi nën rreshje të dendura e të stuhishme. Përplasjet, tërheqjet dhe incientet e shumta e bënë garën shumë më të vështirë nga zakonisht. Përfituan këtu ekipet e vogla dhe, nga fundi i klasifikimit, pasi ishte nisur nga vendi i 13, bënte përmbysjen e madhe një talent i ri me një makinë “Toleman-Hart”, në vitin e tij të parë në Formula 1. E gjithë kjo përmbysje u ndal në momentin kur braziliani iu afrua aq shumë vendit të parë, të mbajtur nga Alain Prost, sepse gara u ndërpre përpara kohe, pas vetëm 31 xhirosh të zhilluara, për shkak të pamundësisë për të garuar në pistë.

2. 1985 – Çmimi i Madh i Portugalisë, Estoril
Shënohet edhe fitorja e parë në Formula 1 nga Ayrton Senna, por në mënyrën më “kanibale” të mundshme. Braziliani, në garën e tij të dytë me skuderinë Lotus, fitonte garën duke parakaluar për së dyti të gjithë pilotët e tjerë, me përjashtim të Michele Alboreto, i cili përfundonte i dyti me Ferrarin e tij me më shumë se 1 minutë vonesë. Senna, i cili ishte nisur nga “pole position”, do të regjistronte edhe xhiron më të shpejtë në pistë, duke fituar të parin “Grand Chelem”, siç quhet triumfi i realizuar pasi ke siguruar “pole position”-in, fitoren, xhiron më të shpejtë dhe kryesimin e garë nga fillimi e deri në fund.

3. 1988 – Çmimi i Madh i Belgjikës, Spa-Francorchamps
Ky ishte sezoni i parë, në të cilin Prost dhe Senna duelonin për titullin kampion si shokë skuadre, dhe këtë e bënin me McLarenin. Në pistën e “Spa”, dy rivalët e përjetshëm do të niseshin nga vija e parë, me brazilianin përpara. Prost niset më shpejt dhe e parakalon Sennan në kthesën e parë, por braziliani nuk dorëzohet dhe rimerr kryesimin e garës, në përfundim të vijës së drejtë të “Kemmel”-it. Do ta merrte dhe nuk do ta lëshonte më kurrë deri në përfundim të garës, duke e mbyllur atë me një avantazh të madh, gjë që bëri të merrte edhe kryesimin e klasifikimit, duke parakaluar sërish shokun e skuadrës. Ky do të ishte edhe sezoni i titullit të tij të parë nga 3 të tillë.

4. 1991 – Çmimi i Madh i Brazilit, Interlagos
Fitorja e parë në shtëpi dhe tepër e djersitur. Një garë e çmendur, ku Senna, i cili qëndroi për një kohë të gjatë në krye të saj teksa ishte nisur nga “pole position”, arriti të triumfonte edhe pse me një problem të rëndë në marshin e makinës, i cili fillimisht u bllokua në të katërtin e më pas ngeci në të gjashtin. Probleme të rënda edhe për Mansell, i detyruar të tërhiqej kur ishte shumë pranë mundësisë për të vënë në rrezik Sennan. Braziliani kalon i pari vijën e “finish”-it. Për shkak të luftës së xhirove tëë fundit mes kampionit të botës dhe kambios, krahu i djathtë i brazilianit mbeti thuajse i paralizuar për shkak të sforcos së vazhdueshme. Në fund të saj, u ndihmua që të dilte nga njëvendëshja e tij dhe pati probleme në ngritjen e trofeut në majën e podiumit.

5. 1993 – Çmimi i Madh i Europës, Donington
Një garë befasuese nga fenomeni brazilian, i cili thuajse bën gjithçka në xhiron e tij të parë perfekte. Pasi kishte humbur një pozicion gjatë nisjes, Senna e pa veten i pesti, por brenda xhiros së parë erdhi edhe shpërthimi i tij, duke parakaluar radhazi Schumacherin, Ëendlingerin, Hillin dhe Prostin. Reshjet e shiut ishin të zakonshme në Donington, duke detyruar pilotët të bënin shumë ndryshime gomash, por Senna nuk e lë fitoren t’i ikë nga duart. Një tjetër rekord këtu, duke parakaluar për herë të dytë të gjithë pilotët, me përjashtim të Damon Hill, i cili u rendit i dyti me 1 minutë e 20 sekonda vonesë.

Top Channel