Qindra punëtorë, të pakënaqur nga shkelja e vazhdueshme e të drejtave të tyre, kanë marrë pjesë në marshin protestues me rastin e 1 Majit, Ditës ndërkombëtare të Punëtorëve, të organizuar nga Lidhja e Sindikatave në Maqedoni.

Protestuesit kërkuan kushte më të mira dhe i bënë thirrje pushtetit, të tërheqë ligjet që sipas tyre dëmtojnë punëtorët.

Marshi i qytetarëve të pakënaqur, fillimisht ndaloi para godinës së Parlamentit, prej ku u kërkua dorëheqja e kryeparlamentarit, Trajko Veljanovski.

“Urgjentisht të shkarkohet kryetari i Parlamentit, Trajko Veljanovski, që të mund të nisë hetimi për uzurpimin e pushtetit. Kërkesat jonë e dytë është, që të votohet mosbesimi i qeverisë aktuale. Këto janë dy kushtet kryesore për përmirësimin e situatës së përgjithshme”, tha Sashko Todorovski, sindikalist.

Punëtorët protestuan edhe para selisë së qeverisë.

“Kërkojmë urgjentisht të firmosen marrëveshjet kolektive, me qëllim që punëtorëve t’u sigurohen të gjitha të drejtat që u takojnë. Kërkojmë të na respektoni dhe jo të na impononi ligje. Kërkojmë që të nisin bisedimet për ndryshimin e të gjitha ligjeve në sektorin publik, që janë të papranueshme, pasi nëpunësit i shndërrojnë në robër të dëgjueshëm”, tha Pece Gruevski, sindikalist.

Ndryshe nga punëtorët, që kërkonin kushte më të mira, shumë qytetarë ditën e parë të Majit e kanë shfrytëzuar si ditë pushimi. Parqet dhe qendrat e ndryshme të pushimit janë vërshuar këtë të premte nga qytetarët, që kishin zgjedhur ta kalonin ditën në piknik.

Top Channel