Burundi, studentët protestojnë para Ambasadës së SHBA-ve

01/05/2015 00:00

Qindra studentë kanë kaluar natën para Ambasadës së SHBA-së në Burundi, pas mbylljes së universitetit për shkak të protestave anti-qeveritare.

Studentët raportuan se kishin zgjedhur këtë vend për të protestuar për shkak të sigurisë më të madhe, pasi në kryeqyetin Bujumbura ndiheshin të rrezikuar.

Qeveria ka bllokuar rrjetet sociale dhe sinjalin e radiostacioneve, ndërsa vazhdon të shtyp protestat që organizohen kundër saj. Protestat kanë filluar që nga e diela kundër vendimit të Presidentit Pierre Nkurunziza për t’u rizgjedhur në qershor.

Qeveria, përmes një deklarate zyrtare, njoftoi se universiteti ishte mbyllur për shkak të “pasigurisë”. Të enjten, qindra studentë kishin marshuar në kryeqyetin Bujumbura duke dashur të ndalojnë Nkurunziza-n që të shpall zyratrisht kandidimin për një mandat tjetër para komisionit elektoral.

Ndërkohë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës ende nuk kanë reaguar, por as nuk kanë penguar studentët protestues para hyrjes së tyre. Mësohet se nëpërmjet rrugëve të tjera, SHBA-ja ka shprehur shqetësimin e saj për ndalimin e rrjeteve sociale dhe bllokimin e sinjaleve të radiostacioneve.

Protestat në Burundi llogariten si më të mëdha që nga 2005, vit kur mbaroi lufta civile. Por, këto nuk po e shqetësojnë presidentin i cili nuk ka ngurruar të kërcenojë protestuesit, duke thënë se “kush krijon probleme, do ta gjejë vetën në telashe”.

Top Channel