Skena lufte në Milano, protesta të dhunshme para panairit

01/05/2015 00:00

Demonstrues janë përplasur me policinë italiane, e cila është kundërpërgjigjur me gaz lotsjellës këtë të premte, në një kohë që protestat kanë lënë tërësisht në hije hapjen e Panairit Botëror “Milan Expo”, nëpërmjet të cilis qeveria italiane shpreson t’i japë shpresë humorit të zymtë të ekonomisë kombëtare.

Re të dendura tymi nga djegia e makinave kanë mbushur pjesë të tëra të qendrës së Milanos, ku grupe të tëra protestuesish të mbuluar në fytyra me maska antigaz, kanë hedhur gurë dhe janë përleshur me kordonët e sigurisë së policisë italiane.

Përleshjet kanë ardhur vetëm pak orë pas ceremonisë së jashtëzakonshme të hapjes në “Milan Expo”, ku kryeministri Matteo Renzi lavdëroi fillimin e ekspozimin gjashtëmujor të pjesëve të ndryshme të kulturës dhe teknologjisë, të fokusuara kryesisht te prodhimi i qëndrueshëm i ushqimeve.

Mijëra policë kanë zbritur nëpër rrugë për të zmbrapsur kërcënimin protestuesve të dhunshëm përpara eventit, tek i cili Renzi kërkon të mbështetet për të përmirësuar shifrat e brishta të rimëkëmbjes ekonomike, pas disa viteve stanjacion dhe recesioni.

“Sot duket sikur Italia ka përqafuar botën”, tha ai në ceremoninë hapëse, që përfshinte edhe fluturimin e avionëve, të cilët lëshuan tym me ngjyrat e flamurit italian. “Të gjithë ju ekspertë, të cilët thoshit se ne nuk do t’ia dilnim mbanë, ky event është përgjigje për ju”, tha ai. “Do të doja të mendoja sikur e nesërmja të niste sot”.

E megjithatë, qendra tepër tërheqëse e Milanos u transformua në një fushëbetejë, me sirena dhe shpërthime periodike të bombave tymuese dhe fishekzjarreve, të cilat “garonin” me britmat e protestuesve.

Ndërkaq, 10 milionë bileta janë shitur tashmë, dhe zyrtarët presin që rreth 20 milionë persona ta vizitojnë ekspozitën më të madhe ndërkombëtare, nga e cila presin të sigurojnë rreth 10 miliardë euro të ardhura, gjysma prej të cilave prej vizitorëve të huaj që kanë mbërritur në Milano.

Por eventi është njollosur nga një hetim për korrupsion, prej të cilit janë arrestuar disa prej zyrtarëve më të lartë të vendit, si dhe nga kostoja e tepruar e ndërtimit të vendit ku po zhvillohet ekspozita. Pjesë të tëra të vendit nuk kanë qenë ende të gatshme për t’u hapur gjatë kësaj të premteje.

FOTO GALERI
1/16

Top Channel