Rama i përgjigjet Blushit: Politikë e llojit të ulët

01/05/2015 00:00

Gjatë vizitës në Panairin e Punës, kryeministri Edi Rama iu përgjigj tërthorazi akuzave të lëshuara ndaj qeverisë nga deputeti socialist Ben Blushi.

“Kush përpiqet të na thotë ku e keni këtë, e ku e keni atë që në ditën e parë të punës, dhe duke shfrytëzuar problemet e hallet e shqiptarëve, përpiqet të bëjë politikën e llojit më të ulët, që s’ka asnjë ide e program, por ka vetëm një rrugë; atë të shpifjes dhe të gënjeshtrës se me siguri do të gjenden njerëzit që do ta hanë gënjeshtrën tënde, ndoshta duke menduar se me baltosje dëshpërimi do të shtohet. Por shqiptarët nuk janë budallenj!” – deklaroi Rama.

Gjatë fjalës së tij në seancën e se enjtes në Kuvend, Blushi akuzoi Qeverinë se po qeveris si Sali Berisha.

“Kjo shumicë ka nevojë të korrigjojë vetveten. Ka më shumë rëndësi e vërteta se partia. Çmimi i energjisë është rritur dhe kjo është po aq e vërtetë sa ‘sot është e enjte’. Premtuam 300 mijë vende pune, Kukësi po zbrazet! Jeni duke ndjekur fantazmën e Saliut duke qeverisur si ai. Ka shumë njerëz këtu që po ndjekin Saliun dhe unë këtë nuk do e lejoj. Qeverisim si Saliu, por pa Saliun! Qeveria po qeveris sot si Saliu dhe ju nuk mund të jeni shokë me Saliun. Unë nuk flas si Saliu, dua që ju të mos jeni si Saliu dhe do bëj çdo gjë deri në fund, edhe me kosto, që kjo të mos ndodhë” – deklaroi Blushi.

Top Channel