Berlusconi vendos t’ia shesë aksionet tajlandezit Bee

01/05/2015 00:00

Pas 42 orësh pritjeje, më në fund ka ardhur telefonata që mund të ndryshojë historinë e Milanit. Silvio Berlusconi duket se ka vendosur që t’ia shesë 51% të aksioneve manjatit tajlandez Bee Taechaubol.

Nesër, më 2 Maj, pritet që gjithçka të zyrtarizohet, duke hedhur edhe firmat. Manjati tajlandez pritet që t’i paguajë ish-kryeministrit italian rreth 500 milionë euro, për të marrë në duar frenat e skuadrës kuqezi.

Kanë kaluar plot 29 vite, dy muaj e 12 ditë, që nga 20 Shkurti i 1986-s, kur Berlusconi erdhi në krye të skuadrës, që edhe atëherë kishte probleme financiare. Epoka e tij është shumë e lavidshme, përfshirë shumë trofe të fituar, duke e bërë Milanin skuadrën me më shumë tituj në botë.

Me ardhjen e Bee, pritet që gjërat të marrin një rrjedhë tjetër në kampin kuqezi, pas një krize që ka mbërthyer skuadrën. Sipas medieve italiane, tajlandezi nuk pritet që të shkarkojë Inzaghin, pasi dëshiron që skuadra ta mbyllë kampionatin me ish-sulmuesin në pankinë, por në verë paralajmërohen investime të reja.

Top Channel