Qeveria vlerëson raportin e BSH-së. Ahmetaj: Certifikon rimëkëmbjen e ekonomisë

01/05/2015 00:00

Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Arben Ahmetaj e konsideroi raportin e stabilitetit financiar të Bankës së Shqipërisë, si një dokument që certifikon rimëkëmbjen e ekonomisë.

“Me kufizimin e deficitit, me rritjen e kredisë, me uljen e kredive të këqija, siç vihet në dukje në statistikë në këtë raport, me rritjen e investimeve qoftë publike, qoftë të huaja dhe të vendit, jam i bindur që Shqipëria ka marrë përfundimisht kthesën për të dalë nga kriza shumëvjeçare ekonomike, që ishte qoftë strukturore, ashtu dhe për shkaqe të keqmenaxhimit politik e ekonomik”, tha ministri Ahmetaj.

Bashkë me raportin e stabilitetit, Banka e Shqipërisë publikoi edhe një vrojtim mbi gjendjen financiare të familjeve, që sipas saj, në gjashtëmujorin e dytë u përkeqësua. Opozita e komentoi këtë si një tregues të krizës, por kreu i ekonomisë e lexon ndryshe.

“Është një sondazh i realizuar me 883 familje dhe jo një statistikë. E megjithatë, për të konsideruar edhe atë që thuhet nga opozita për situatën e financave familjare, vrojtimi thotë se ka tendencë për zhvendosjen drejt një niveli më të lartë shpenzimesh. Shpenzimet i rrisin ata, që kanë pritshmëri pozitive për atë që do të vijë, dhe jo një njeri i dëshpëruar”, theksoi më tej Ahmetaj.

Zoti Ahmetaj thotë se ka një tjetër tregues statistikor, sipas tij, më i sigurt, që dëshmon përmirësimin e buxheteve familjare.

“Këtu mund të theksoj edhe numrin e punësimit vitin e kaluar, teksa janë mbi 83 mijë vende të reja pune. Kjo nuk do të thotë se situata është rozë, por është e përmirësuar, e theksuar nga statistikat dhe jo nga kampionët e sondazheve”, deklaroi ai.

Pas rritjes me 1.9 për qind vitin e kaluar, qeveria pret që këtë vit prodhimi kombëtar të zgjerohet me 3 për qind, sipas saj, i udhëhequr nga rigjallërimi i kërkesës së brendshme.

Top Channel