“Sculp fest”, edicioni i katërt në Prizren

01/05/2015 00:00

Festivali Ndërkombëtar i Skulpturës “Sculp Fest”, që do të zhvillohet në Prizren, ka përfunduar të gjitha përgatitjet për hapjen solemne të edicionit të katërt, që organizohet në kuadër të Bienales së Artit Bashkëkohor.

Skulpturat e akullit, si karakteristikë e tri edicioneve të para, këtë vit vijnë me një koncept krejtësisht tjetër. Detaje rreth këtij edicioni u shpalosën në konferencën për mediat nga drejtori i Festivalit, Leotrim Fishekçiu.

“Fillon me 20 mijë kube të akullta, me 20 mijë rrëfime të qytetarëve mbi kalldrëmin e Prizrenit. Është një projekt krejtësisht bashkëkohor dhe promovon trashëgiminë kulturore, këtë pasuri që e kemi. Performanca do të shndërrohet në diçka shumë interaktive, ku me shkrirjen e 20 mijë kubeve të akullta, vizitorët do të fillojnë t’i shfletojnë dhe t’i lexojnë përjetimet e personave, që kanë shkruar mbi kalldrëm”, tha Leotrim Fishekçiu, drejtor i “Sculp Fest”.

“Sculp Fest” ka mbledhur në këtë ekspozitë të përbashkët, e cila do të hapet të shtunën, 2 Maj, artistë të ndryshëm ndërkombëtarë të artit bashkëkohor. Kurator i kësaj ekspozite, që do të vendoset 3 kate nën dhè, është Klod Dedja.

“Janë ftuar disa artistë ndërkombëtarë, të cilët patëm fatin t’i kemi të pranishëm me punë tejet specifike, ku thelbi i punëve të tyre është kontradita njerëzore, një dramacitet personal, e cila në një shkallë të gjëre, siç është Prizreni, merr një kontekst totalisht tjetër”, tha kuratori Dedja.

Edicioni i katërt i “Sculp Fest” do të zgjasë nga 2 deri më 3 maj.

Top Channel