Goditet grupi i falsifikatorëve, pesë persona në pranga

01/05/2015 00:00

Policia e Shtetit ka goditur një grup të strukturuar kriminal, duke prangosur pesë persona dhe sekuestruar dy laboratorë të falsifikimit të dokumenteve, në një operacion të shtrirë në Tiranë dhe Shkodër.

Operacioni i koduar “Emigracioni i Paligjshëm” është organizuar nga Sektori për Trafikun e Paligjshëm në Tiranë e Shkodër, ku në përfundim pesë persona kanë përfunduar në pranga me akuzën e “favorizimit të kalimit të paligjshëm të kufirit” dhe “pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal”.

Të arrestuarit janë shtetasit Bajram Xhaja, 58 vjeç, Kujtim Emiri, 59 vjeç, Mihal Gjoka, 56 vjeç, Xhelil Alla, 43 vjeç, dhe Sofija Pepa, të gjithë banues në Tiranë.

Gjithashtu, gjatë këtij operacioni janë zbuluar dy laboratorë falsifikimi dokumentesh dhe janë sekuestruar dy kompjuterë, printerë, makineri prodhimi kartash elektronike, një sasi e konsiderueshme parash dhe një automjet tip “Mercedes Benz”, si dhe materiale të tjera që dëshmojnë aktivitetin e tyre kriminal, sipas policisë.

Dyshohet se në bashkëpunim me njëri-tjetrin, 5 personat tashmë të arrestuar, rekrutonin njerëz të interesuar të largoheshin nga Shqipëria drejt vendeve të BE-së, Britanisë së Madhe, SHBA-ve dhe Kanadasë, kundrejt shumave të parave që varionin nga 5000 euro për në vendet e BE-së deri në 20 mijë dollarë për në SHBA, Kanada etj.

Pasi i pajisnin me dokumentacion të falsifikuar, kryesisht italiane ata i instruktonin personat e interesuar se si duhet të silleshin në aeroportet e huaja dhe i orientonin me anë të telefonit. Personat e interesuar, për të kaluar kufirin në dalje nga Shqipëria përdornin pasaportë biometrike, dhe në aeroportet e huaja përdornin pasaportat e falsifikuara me të cilat ishin pajisur nga grupi kriminal.

Njëri laborator u gjet dhe u sekuestrua në banesën e shtetasit Kujtim Emiri, ndërsa laboratori i dytë u gjet në banesën e shtetasit Xhelil Alla.

Top Channel