Nepal, rreth 1000 shtetas europianë rezultojnë të zhdukur

01/05/2015 00:00

Autoritetet në Nepal janë në luftë me kohën në kërkim të personave të zhdukur pas tërmetit të rënë, ndërkohë që është mësuar se mungojnë edhe 1000 shtetas europian.

Kanë kaluar gjashtë ditë nga tërmeti, ndërsa zyrtarët europianë këmbëngulin se ende mund të ketë të mbijetuar nga kjo katastrofë natyrore.

I dërguari i BE-së në Nepal, Rensje Teerink, ka thënë se autoritetet vendase nuk e dinë me saktësi vendodhjen e këtyre shtetasve europianë, por ka siguruar se po bëjnë gjithçka për t’i gjetur.

Shumica prej tyre nuk janë lajmëruar nëpër ambasadat respektive, prandaj mediat europiane kanë pak shpresa se ata mund të jenë gjallë.

Megjithatë, mrekullitë ndodhin, pasi një foshnje mbijetoi për 22 orë, ndërsa një 15-vjeçar u nxorr nga rrënojat e një godine të shkatërruar nga tërmeti, pasi kishte kaluar plot 5 ditë i bllokuar poshtë rrënojave.

Deri më tani janë raportuar për 6200 të vdekur dhe 14000 të plagosur. Autoritetet nepaleze nuk përjashtojnë mundësinë e një rritjeje të numrit të vdekjeve në mbi 10 mijë vetë.

Top Channel