Minxhozi: Dekriminalizimi? Dështim i paralajmëruar

05/01/2015 00:00

Mazhoranca dhe opozita nuk arritën dot në një draft të përbashkët për çështjen e dekriminalizimit që do të kishte efektin te zgjedhjet e 21 Qershorit, ndërkohë që kandidatët kanë përveshur mëngët në fushatë, pavarësisht se nuk ka nisur ende zyrtarisht.

Për këto dy çështje të rëndësishme të aktualitetit politik, si çdo të premte, i ftuar në studiot e edicionit qendror të lajmeve në Top Channel, ishte analisti Skënder Minxhozi.

Ilir Paço: Një ditë më parë mazhoranca dhe opozita nuk arritën dot në një draft të përbashkët për çështjen e dekriminalizimit, që do të kishte efektin tek zgjedhjet e 21 Qershorit. Palët nuk kanë më kohë, pasi të hënën është afati i fundit i regjistrimit të kandidatëve. Ndërkohe, ambasadori amerikan ditë më parë u kërkoi partive të heqin të inkriminuarit nga listat e 21 Qershorit. A duhet të presim denoncimin publik të ndërkombëtarëve, siç edhe premtoi ambasadori Donald Lu, nëse këtë nuk e bëjnë vetë partitë?

Skënder Minxhozi: Kam besuar që në fillim që do të ishte e vështirë të kishim një ligj. Edhe nëse ai do të aprovohej nuk do të frenonte kandidatët e inkriminuar për garën e 21 Qershorit, pasi fushata praktikisht ka filluar. Personat kanë nisur punën në bazë, për më tepër palët, janë larg përsa i përket ligjit dhe është e vështirë arritja e një konsensusi në Parlament. Tani askush nuk ka më fuqi mbi listat. E vetmja barrierë është Ambasada Amerikane, që do të thotë nëse Lu do e mbajë fjalën e thënë para disa ditësh për publikimin e emrave.

Ilir Paço: Në fakt, në deklaratën e fundit duket sikur ka një tërheqje të Ambasadës…

Skënder Minxhozi: Duhet parë si një presion pozitiv që ndërkombëtarët dëshirojnë të ushtrojnë ndaj partive që të rishikojnë vetë listat. Deklarata e Ballës në Top Show tregon që nuk është kaq formale ndërhyrja e SHBA.

Ilir Paço: Si po duket fushata për 21 Qershorin, e cila në fakt zyrtarisht nuk ka nisur? Por me mëngë të përveshura janë të gjithë kandidatët dhe politikanët, po në mënyrë të veçantë ata të Tiranës, Erion Veliaj dhe Halim Kosova, që po zhvillojnë takime të ngjeshura?

Skënder Minxhozi: Kemi hyrë në një klimë fushate. Duhet thënë se ashtu siç edhe pritej, fushata po kthehet në politike. Kemi mandatin mbyllës të kreut të Tiranës, që do të jetë në debatin dhe fokusin e Tiranës. Një ish-ministër, ndër më të dukshimit dhe suksesshmit të qeverisë, që po zbret për t’i zënë Tiranën. Kandidatët më bën të shpresoj, të paktën nga hapat e parë të fushatës, që nuk do të jenë negativë. Veliaj është energjik nga njëra anë, ndërkohë që Halim Kosova po bën një fushatë të përmbajtur dhe ka marrë përsipër të bëjë dy gjëra: t’i kundërpërgjigjet PS-së dhe të mbajë larg Bashën dhe Berishën, që për mendimin tim, do ishte një minus për të.

Ilir Paço: Maxhoranca votoi ligjin për hapjen e dosjeve sipas modelit gjerman, por që nuk shoqërohet me lustracionin. Kundërshtitë në fakt edhe të opozites, ishin pikërisht për këtë çështje, lustracionin. Çfarë efekti mendoni se do të ketë ky ligj për shoqërinë shqiptare 25 vite pas ndarjes me të kaluarën komuniste?

Skënder Minxhozi:
E pashembullt është që një parti e majtë, ajo që quhej trashëgimtare e Partisë së Punës, që çon në fund një proces që duhet të ishte çuar që në mandatin e parë qeverisës nga PD. Unë kam menduar që PD kur mori pushtetin në 1992 ka pasur mundësinë dhe detyrën historike që duhet të bënte një transparencë. Historia e mëvonshme, që me dosjet nuk u veprua drejtë, u manipulua dhe u bë lojë e pistë. Është pozitive që ligji është miratuar, megjithëse e ka të ndrydhur elementin tjetër, lustracionin, ai i pengesës së personave që dëshirojnë të kenë një karrierë.

 

Top Channel