Një pasdite me Mustafa Nanon

01/05/2015 00:00

Në rubrikën e personazhit të javës të ftuar përballë moderatores, Jonida Shehu, në emisionin Pasdite në Top Channel, këtë herë ka qenë ulur analisti i mirënjohur Mustafa Nano.

Ai ka tërhequr vëmendjen e opinionit publik gjatë gjithë kësaj jave me projektin “Edhe profetët dinë të puthin”. Por çfarë ka ndodhur dhe pse është vënë në qendër të vëmendjes vepra e analistit Nano?

Duke folur për shfaqjen e njohur si një “Stand up, One man show”, për të cilën ka marrë shumë komplimente, Mustafa Nano tregon sesi është ndierë me këtë eksperiencë të re për të.

“Ishte hera e parë për mua që bëja diçka të tillë, dhe si çdo gjë e parë, kushdo përfshihet nga emocionet. Ishte një emocion inkurajues dhe jo bllokues, aq sa mezi po prisja të vinte dita të jepja shfaqjen”, tha Nano. Shfaqja doli mirë dhe tërhoqi gjithë vëmendjen e shikuesve të pranishëm, shumica e të cilëve miq dhe të njohur të analistit. “Që në fillim kuptova që e kisha fituar këtë betejë”, thotë më tej ai, pasi kishte kuptuar që i kishte rrëmbyer të gjithë shikuesit.

Megjithatë, edhe pse i është “regjur lëkura” me daljet nëpër televizione, përpara publikut në shumë raste, kishte një farë pasigurie sesi do të shkonte shfaqja. Nuk kishin të bënin me tekstin e këtij “show”, por me aspektin aktorial: a do të ishte në gjendje Mustafa Nano të përformonte siç duhej? Kjo sepse tekstin e kishte bërë vet dhe e zotëronte në “majë të gishtave”, aq më tepër që kishte bërë edhe prova gjenerale nën praninë e regjisorit Altin Basha (Portokalli) dhe aktorit të humorit Gazmend Paja.

E gjithë kjo ide, për të dalë i vetëm në skenë dhe për të luajtur një rol që do t’i mbante shikuesit të mbërthyer për rreth 1 orë e 15 minuta, duke folur i vetëm përpara të gjithëve, rezulton të ketë qenë një ëndërr e hershme e Mustafa Nanos, i cili është shprehur se këtë gjë “e kishte përfytyruar që fëmijë, pra ta nxirrte veten në ndonjë skenë”. Por me kalimin e viteve, siç rrëfehet, kishte kuptuar se skena nuk ishte për të; ai nuk mund të bëhej aktor, ndoshta sepse nuk kishte dhunti; ndaj dhe këtë ëndërr e kishte arkivuar prej kohësh.

Megjithatë, fakti që kjo ishte një mënyrë tjetër për të komunikuar me njerëzit, gjë që e bën edhe përmes shkrimeve, librave, studiove televizive, pse të mos e bënte duke dalë në skenë e të komunikonte me ta. “Pa pasur nevojë për ndonjë fuqi të veçantë aktoriale, në skenë mjafton të dish t’i thuash gjërat, e veçanërisht ato me interes të veçantë për njerëzit, dhe mund t’ia dalësh”, tha Nano. Ide, e cila iu forcua pas publikimit të librit “Pax Albanica”, për të cilin bëri një tur përurimesh nëpër Shqipëri dhe territoret e tjera shqipfolëse, si në Shkup e Prishtinë, ku ka pasur mundësinë të flasë me publik të zgjedhur mbi çështje të ndryshme, sidomos për fetë në konstekst global dhe lokal.

Mustafa Nano ka rrëfyer për herë të parë se këtë ide e kishte ndarë me shoqen e tij, me të cilën bashkëjeton, e cila sërish ishte treguar disi mosbesuese, por së cilës analisti i mirënjohur duket se nuk “ia paska vënë veshin”, për shkak se siç shprehet, ai “i beson gjithmonë instiktit”. “Kur më thotë instikti për diçka, hidhem në sulm si budall. Nuk kam gabuar asnjëherë deri më sot. Vetëm kur i nis gjërat duke bërë llogari, atëherë po kam gabuar”, tregon Nano.

Nisi ta hartonte tekstin brenda një jave dhe, pasi e kishte përfunduar, ua dha në duar sërish këtyre “mosbesuesve”, përfshi edhe Besnik Mustafarajin. Me ta lexuar, ata kishin nisur të ndryshonin qëndrimin e tyre; nuk ishin më dyshues, përkundrazi e kishin inkurajuar për më tej…

Por përse ka zgjedhur pikërisht tekstin në fjalë Nano? Ndoshta sepse e kishte testuar më herët me librin e tij “Pax Albanica”, se për fenë kishte ende për të diskutuar, madje edhe në këtë formë të re komunikimi me publikun për të. “Feja është një argument shumë i rëndësishëm në botën e sotme dhe ka për të qenë i tillë edhe për shumë kohë në mbarë botën. Ndërsa për botën shqiptare ka për të qenë përjetësisht i rëndësishëm, sepse – siç e ka thënë edhe gjatë shfaqjes, – historia e Shqipërisë është një histori e përzierë mes fesë së krishterë dhe asaj muslimane”, tregon analisti Mustafa Nano.

Një temë, që Nano mendon se e ka trajtuar me “merakun patriotik”, çka nënkupton me kujdes, sepse me fetë nuk bëhet shaka; por nga ana tjetër ai shprehet se ka respektuar edhe veten, duke qenë se është një njeri jobesimtar. “Jam përpjekur të gjej një ekuilibër mes respektit për veten, duke i shprehur gjërat që mendoj, dhe respektit për besimtarët”, deklaroi analisti i mirënjohur.

Ndër të pranishmit gjatë shfaqjes, kishte pasur edhe nga ata që “nuk binin dakord me disa gjëra që ai kishte thënë, por nuk ndiheshin të lënduar apo të fyer”. Edhe pse nuk e ka diskutuar këtë “kontradiktë” me të pranishmit në detaje, Nano thotë se i ka ngelur përshtypja sikur ata nuk bien dakord me shumëçka të thënë prej tij. Kjo, sepse ai përpiqet t’u thotë të tjerëve se librat e shenjtë janë të tillë vetëm për ata që duan t’i shohin si të tillë, ndërsa për shumë të tjerë janë libra të zakonshëm, përfshi këtu Mustafa Nanon. Sipas tij, këto libra janë të mbushur me kontradikta, me kundërthënie, me përsëritje, me gjëra që nuk kanë kuptim për logjikën e njeriut… Ky përbën edhe mesazhin kryesor që përcjell nga teksti, gërmë për gërmë. Ndërsa mesazhi i të gjithë “show”-t ka të bëjë me të qenit kundër fanatizmit dhe fundamentalizmit.

Nano tregon se besimet dhe besimtarët i sheh si gjëra të dobishme në botën e sotme, aspak problem për jetën e sotme, por rrezikun më të madh e përbëjnë fanatikët dhe ekstremistët. Madje këtë e ilustron edhe me një shembull: Njerëzit që lexojnë këto libra të shenjtë adhurojnë Zotin dhe janë njerëz të Zotit, ndërsa ekstremistët mendojnë se Zoti është i tyri. Në emër të kësaj që ata besojnë, shkojnë edhe në luftëra, bëhen edhe kamikazë.

Ky për Mustafa Nanon është vetëm një diskutim kulturor që bën lidhur me fetë, edhe pse mund të ketë nga ata njerëz që mund ta shohin si blasfemi. Gjë, të cilën nuk e ka pasur aspak në mendje ta bëjë, siç shprehet ai. Për ta sqaruar më tej, Nano thotë: “Unë vetë nuk besoj tek ekzistenca e Zotit që thonë librat e shenjtë, por nuk e mohon apo përjashton ekzistencën e Zotit, nëse ky ekziston”.

Por si është për Mustafa Nanon ky Zoti i librave të shenjtë, për të cilin analisti vetë thotë se nuk e beson? Sipas tij, Zoti i librave të shenjtë është vanitoz, spitullaq, njeri që e ka mendjen vetëm të adhurohet. Ndër 10 urdhëresat e testamentit të vjetër, gjysma e parë e tyre dhe më e rëndësishme që Zoti ka shkruar për Moisiun, siç thotë Nano, janë pikërisht të kësaj natyre: Nuk ka Zot tjetër përveç meje apo para meje! Apo nuk lejohet të adhurosh kultet e tjera, përveç meje. Mos përmendet emri i Zotit vend e pavend. Bëje një ditë të javës pushim dhe dedikoja atë Zotit. “Nuk besoj të ketë pasur një Zot të tillë, sepse ka shumë kokëçarje të tjera për t’u kujdesur në këtë botë, për këtë njerëzim”, thotë Nano. “Madje nuk më pëlqen as kur flitet për përmasat e një Zoti të pamëshirshëm, mizor nëpër librat e shenjtë, ku përmendet edhe ferri. Nga ana tjetër, po në këto libra thuhet se Zoti është gjithnjë i mëshirshëm. Një nga kontradiktat e këtyre librave”.

E duke e lënë me kaq çështjen e Zotit, Nano kthehet të flasë për profetët, të cilët në “show”-n e tij i konsideron si personazhe të historisë, shumë interesantë dhe më të rëndësishmit e historisë së njerëzimit. Dy më të rëndësishmit për njerëzimin janë Jezu Krishti dhe Muhamedi. “Janë të rëndësishëm për nga impakti që ka pasur jeta e tyre. Ishin njerëz që nuk kanë pasur shkollë, nuk kanë ditur shkrim e këndim, nuk kanë lëvizur shumë nga bota e tyre lokale; Muhamedi pak më shumë, ndërsa Krishti në një rreth më të vogël; por mesazhet dhe veprat e tyre, edhe sot e kësaj dite kanë pasur impakte të jashtëzakonshme. Ndër më të fuqishmet që mund të ketë jeta dhe vepra e një njeriu mbi tokë”, shprehet Nano.

Por cili do të ishte reaksioni i “Edhe profetët dinë të puthin”, sipas Mustafa Nanos, duke ditur që kjo është një çështje problematike në Shqipëri, pavarësisht se shqiptarët mendojnë se ka paqe dhe bashkëjetesë mes njëri-tjetrit?

“Nuk e kam menduar dhe nuk mendoj se do të ketë reaksion. Këtë e them me baza, sepse di tekstin dhe pashë edhe reagimin e të pranishmëve në shfaqje. Gjë që konfirmoi besimin tim për mospasjen e reaksioneve. Nuk ka arsye për këtë gjë”, tha Nano. Ai thekson se, pavarësisht se disa gazeta e kanë nxjerrë ata si provokues, nuk e ka aspak për qëllim të provokojë, por gjërat që mendon i thotë me mënyrën më të kulturuar të mundshme. Nano tregon se e njeh shumë mirë delikatesën e argumentit, të feve në Shqipëri. “Kombi ynë është i ngritur mbi një strukturë shumëfetare dhe mbi kushtin që fetë duhet të respektojnë njëra-tjetrën. Madje edhe mbi kushtin që ne të tjerët, jobesimtarët, duhet t’i respektojmë maksimalisht besimtarët, kështu që e njoh shumë mirë këtë çështje”, shprehet Nano.

Top Channel