Zbulohet një arsenal armësh në Tropojë, në pranga dy vëllezër

01/05/2015 00:00

Një telefonatë në sallën operative të policisë së Tropojës për një konflikt në familje ka çuar në zbulimin e një arsenali armësh në fshatin Curraj i Poshtëm të Komunës Lekbibaj.

Pas marrjes së telefonatës, policia është nisur menjëherë drejt vendit të ngjarjes, në lagjen Hajdarkolaj të fshatit Curraj i Poshtëm.

Nga veprimet e para u mësua se shtetasja D.H., bashkëshorte e Admir Hajdarkolaj, kishte një konflikt pronësie me kunatin e saj, Artan Hajdarkolaj.

Kjo e fundit zotëronte një armë gjahu, të cilën pretendonte se e kishte me leje. Gjatë ndërhyrjes së policisë në banesë dhe përreth saj janë gjetur dhe sekuestruar: një kallashnikov, dy pushkë, një çifte, 1 granatë dore, 52 fishekë, 2.2 metra fitil zjarrpërcjellës dhe 5 kapsolla detonatore.  
                                                              
Efektivët e policisë kanë bërë shoqërimin në Komisariat të tre personave dhe, në përfundim të veprimeve të para hetimore, u krye arrestimi në flagrancë i dy vëllezërve Artan dhe Admir Hajdarkolaj, përkatësisht 30 dhe 36 vjeç.

Arrestimi i tyre u krye, sipas policisë, për veprat penale “armëmbajtje pa leje” dhe “armëmbajtie pa leje të armëve të gjahut dhe sportive”.

 

Top Channel