Halim Kosova takon tregtarë e banorë në “Qytetin e Nxënësve”

02/05/2015 00:00

Ndalesa e radhës e kandidati të PD-së për kryebashkiak në Tiranë, Halim Kosova, ishte në tregun e fruta perimeve në “Qytetin e Nxënësve” ku dëgjoi ankesat e tregtarëve.

Nga ana e tij, Kosova ftoi tregtarët dhe banorët e kësaj zone të bashkohen në projektin e tij për të krijuar vende pune, mirëqenie e zhvillim.

Gjatë bashkëbisedimit me qytetarët, kandidati i PD-së për Bashkinë e kryeqytetit vuri theksin te rëndësia e ekonomisë familjare.

“Më i rëndësishëm se poçi dhe se rruga, po ta them siç e mendoj unë, është ekonomia në shtëpinë tënde brenda, se ti po e pate asfaltin xixë fare, po pate shtylla e po pate lule në rrugë, po që s’ke asnjë në punë, po që je në kulmin e varfërisë, nuk e shijon as rrugën, as poçin, asgjë”, tha kandidati i PD-së për Bashkinë e Tiranës.

Në fund, Halim Kosova shpjegoi dhe planin e tij të punës.

“Sot po shoh ku janë hallet e qytetit. Ideja ime është që t’i ndaj pjesë-pjesë dhe të fillojmë me radhë zgjidhjen e tyre në çdo zonë. Unë kështu kam punuar gjithmonë”, tha Kosova.

Top Channel