Gjirokastër, pranga atentatorit të policisë gjatë “Lazaratit 2014”

02/05/2015 00:00

Policia e Gjirokastrës ka vënë në pranga një 31-vjeçar nga Lazarati, i dyshuar si një prej personave që sulmuan me armë policinë gjatë operacionit antikanabis të qershorit të vitit të kaluar.

Florian Shurdhi është ndaluar në pikën e kalimit kufitar të Kakavijës, teksa ishte duke u kthyer nga shteti fqinj, Greqia.

Ai akuzohet për vrasje të punonjësve të Policisë së Shtetit, e kryer në bashkëpunim dhe e mbetur në tentativë, për armëmbajtje pa leje, prodhim e shitje të narkotikëve, si dhe kultivim të bimëve narkotike.

Gjykata e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda ka vendosur ndaj Shurdhit masën e sigurimit “arrest me burg”.

Ndërkohë, Prokuroria e Krimeve të Rënda në bashkëpunim me strukturat e policisë vijon procedimin penal për sulmet me armë ndaj efektivëve të policisë dhe gjithë veprat penale, të verifikuara gjatë operacionit antikanabis “Lazarati 2014”.

Kapja e Florian Shurdhit u bë nga shërbimet e policisë kufitare të Kakavijës, në bashkëpunim me specialistët e Sektorit Kundër Krimeve të Rënda në Drejtorinë e Gjirokastrës, në hyrje për në territorin shqiptar.

 

Top Channel