Kontrabanda e naftës, 11 të akuzuar shlyejnë dënimin me kohën e paraburgimit

02/05/2015 00:00

Ndërsa ka përfunduar gjykimi ndaj 13 personave të akuzuar për kontrabandë nafte, 11 prej tyre e kanë shlyer dënimin e marrë me kohën e paraburgimit. Ndërsa dy të akuzuar u dënuan vetëm me gjobë.

Prokuroria e Durrësit, sipas burimeve zyrtare, hetoi 13 ndaj persona, 11 prej të cilëve, të akuzuar për ‘kontrabandë me mallra që paguhet akcizë’ dhe dy për ‘tregtim të mallrave që dihet se janë kontrabandë’.

Në bashkëpunim me njëri-tjetrin, ata blinin në Mal të Zi karburant më shumë se sa u lejohej për anijet e peshkimit, pasi karburanti për anijet është më i lirë, dhe një pjesë të tij e tregtonin në pikat e karburanteve me pakicë, në qytetin e Durrësit.

Nga kjo veprimtari e paligjshme, sikurse bën të ditur prokuroria, përveçse përfitonin shuma në mënyrë të padrejtë, ata ndikonin drejtëpërdrejt negativisht për keq në automjetet e qytetarëve, pasi karburanti për anijet është i një cilësie më të dobët.

Në përfundim të hetimeve, Gjykata e Durrësit, në dhjetor 2013, vendosi masën e ‘arrestit me burg’ për 9 prej tyre, ndërsa për 4 u vendos ‘detyrim paraqitjeje’.  Në muajin shkurt 2014, Gjykata e Apelit në Durrës vendosi që hetimi ndaj të gjithë personave të vijonte në gjendje të lirë, duke vendosur masën e sigurisë ‘detyrim për paraqitje’.

Më poshtë janë dënimet që ka dhënë Gjykata e Durrësit për secilin prej të akuzuarve dhe kërkesat përkatëse të prokurorisë:


Për ‘kontrabandë me mallra që paguhet akcizë’, e kryer në bashkëpunim;

-Ardian Cani u dënua me dy muaj e 18 ditë burgim. Prokuroria kishte kërkuar 12 muaj burg;

-Zyhra Vokshi u dënua me 26 ditë burg. Prokuroria kishte kërkuar 12 muaj burgim dhe shërbim prove për 24 muaj;

-Kujtim Brahimaj u dënua me 5 muaj e 4 ditë burg. Prokuroria kishte kërkuar 6 muaj burgim;

-Fundim Masha u dënua me 3 muaj e 26 ditë burgim, ndërkohë që prokuroria kishte kërkuar 6 muaj burg;

-Eugen Hysa u dënua me 3 muaj e 26 ditë burgim, ndërsa prokuroria kishte kërkuar 6 muaj burg;

-Irgen Balla u dënua me 4 muaj heqje lirie. Prokuroria kishte kërkuar 6 muaj burg;

-Emiljano Kuçi u dënua me 1 muaj e 8 ditë burgim. Prokuroria kishte kërkuar 6 muaj heqje lirie;

-Arbër Çerkini u dënua gjithashtu me 1 muaj e 8 ditë burg, kur prokuroria kishte kërkuar 6 muaj burgim;

-Altin Imeraj u dënua me 1 muaj e 20 ditë burgim. Prokuroria kishte kërkuar 6 muaj burg;

-Emirjan Hako u dënua me 100.000 lekë gjobë. Prokuroria kishte kërkuar 6 muaj burgim;

-Edhe Ahmet Masha u dënua me 100.000 lekë gjobë, kur prokuroria kishte kërkuar 12 muaj burg.


Për ‘tregtim të mallrave që dihet se janë kontrabandë’;

-Soko Troplini u dënua me 1 muaj burg;

Isuf Beshi u dënua me 100.000 lekë gjobë.

Në njoftimin e saj zyrtar, prokuroria nënvizon se “të gjithë personat e dënuar me burgim e kanë shlyer me kohën e paraburgimit”.

 

Top Channel