Bashkia e Durrësit, Duma vijon takimet me banorët

02/05/2015 00:00

Kandidatja e PD për Bashkinë e Durrësit, Grida Duma ka vijuar takimet me banorë të shumtë në lagje të ndryshme të qytetit bregdetar, për të bashkëbiseduar për problemet ekonomike dhe sociale të tyre.

Në fjalën e tyre në këto takime, banorët u shprehën se vuajnë mungesën e perspektivës dhe shanseve për t’u punësuar.

“Ky popull thotë gjithë ditën që do e çojë votën djathtas, por kush shkon të votojë i prishet mendja për një thes miell”, tha një qytetar.

Nga ana e saj, zonja Duma u shpreh e bindur se qytetarët durrsakë në katër anët e bashkisë së re e kanë kuptuar rëndësinë e votës dhe nuk kanë për të shitur shansin për një projekt ndryshe. “Unë besoj se njerëzit e kanë kuptuar që ai thesi i mjellit nuk u ndryshon më asgjë”, tha Duma.

Komuniteti i një prej lagjeve më të mëdha në qytet kërkoi nga kandidatja mundësinë e ndërtimit të një shkolle të re, pasi fëmijët e bëjnë mësimin me turne.

Zonja Duma u shpreh se ndërtimi i një shkolle të re në këtë zonë do të jetë pjesë e planit të saj për këtë lagje të qytetit.

“Nuk është vështirë një shkollë më shumë për një komunitet të madh si ju këtu, sepse është kjo zona këtu që jep dyfishin e të ardhurave se një zonë tjetër. Unë e di që kjo është sakrificë e madhe. Ajo që duhet të bëhet është një shkollë brenda standardeve dhe nuk është as e shtrenjtë dhe as e pamundur. Duhet vetëm ta ndjesh brenda vetes. Unë jam nënë, jam pedagoge dhe e di shumë mirë këtë”, shtoi Duma.

Top Channel