Haxhinasto inspekton by pass-in e Rrogozhinës: Të dyfishohen nënkalimet

02/05/2015 00:00

Ministri i Transportit, Edmond Haxhinasto ka inspektuar këtë të shtunë punimet që po kryhen në by pass-in e Rrogozhines. Fillimisht, ai është ndalur edhe në inspektimin e punimeve të lotit të dytë tek zona e plepave, Kavajë-Rrogozhinë.

Më pas, ministri është ndalur në kantierin e punës në dalje të Rrogozhinës, ku ka inspektuar laboratorin e materialeve që po përdoren për ndërtimin e by pass-it.

Nga zbatuesit e punimeve, Haxhinasto ka mësuar se teknologjia që po përdoret për ndërtimin e 4.7 km është më e larta e përdorur deri tani në vendin tonë. Toka në këtë zonë është argjilore, ndaj duhet respektuar teknologjia e avancuar, për ta bërë atë të qëndrueshme. Por zoti Haxhinasto ka kërkuar dyfishimin e nënkalimeve.

Projekti do të ndryshohet, pasi nga 4 numri i nënkalimeve duhet të shkojë në 8. Ministri ka kërkuar shtimin e nënkalimeve, pasi zona është bujqësore dhe fermerët nuk duhet të rrezikojnë kalimin në akset e reja rrugore që po ndërtohen.

By pass-i ka në projekt edhe ndërtimin e një nënkalimi hekurudhor, i cili kalon në linjën Lushnjë-Rrogozhinë-Peqin.

By pass-i i Rrogozhinës është i gjatë 4.7 km dhe vlera e punimeve arrin mbi 5.7 milionë euro. Punimet duhet të përfundojnë në janar 2016. Zonat ku kalon ky by pass janë me intensitet të lartë ekonomik bujqësor dhe ndërtimi i tij pritet t’u japë më tepër zhvillim.

Top Channel