PD: Rama vazhdon të tallë e të poshtërojë qytetarët

02/05/2015 00:00

PD ka akuzuar sërish kryeministrin Rama se vazhdon të tallet e të poshtërojë shqiptarët. Përmes koordinatorit Akil Kraja, PD ka akuzuar shefin e qeverisë se, teksa BSH thotë se qytetarët marrin borxh për të siguruar bukën e gojës, kryeministri tallet duke thënë se ata nuk duan të punojnë.

“Papunësia u rrit me 7 për qind në këto 20 muaj, sepse kryeministri i së keqes rriti taksat, rriti çmimin e energjisë, rriti çmimin e naftës dhe mbylli me mijëra biznese. Shqiptarët po ikin, sepse nuk kanë punë, bukë dhe shpresë dhe thonë se nuk presin asnjë ndryshim për vitin 2015. Madje, e shohin gjendjen financiare të tyre në përkeqësim”, ka thënë Kraja.

Sipas tij, ky është realiteti i trishtueshëm që po kalojnë sot shqiptarët dhe që “kryeministri i së keqes” nuk e sheh.

“Çdo kryeministër i përgjegjshëm do bënte gjithçka për të hapur vende pune, por kryeministri ynë i bllokon ato. Kryeministri i së keqes, përveç 1200 vendeve të punës në terminalin multimodal ka bllokuar dhe 2300 vende pune në bulevardin e ri e qindra vende të tjera pune në dhjetëra projekte në qytet. Këtu ne flasim për punë reale jo për vende pune në letër”, ka vijuar Kraja.

“21 Qershori është dita që të shpëtojmë prej kësaj të keqeje dhe të bashkohemi e të votojmë njerëzit e punës, që do t’u kthejnë shpresën qytetarëve”, ka shtuar koordinatori.

Top Channel