Basha: Incidenti, Shenjë paniku. Dako e ka të sigurtë humbjen

02/05/2015 00:00

Partia Demokratike shpërndau pamjet e incidentit në Shkozet të Durrësit dhe akuzoi se incidenti gjatë takimeve elektorale të opozitës, është i frymëzuar nga kandidati socialist, Vangjush Dako.

Një i ri demokrat është plagosur në kokë dhe për këtë incident opozita ka bërë një kallëzim penal. Por jo vetëm kaq. Kryetari i Partisë Demokratike shkoi vetë në Durres dhe duke i kërkuar Prokurorisë të çojë sa më shpejt para drejtësisë autorët e dhunës, dha një arsye për incidentin dhe bëri një paralajmerim për qeverinë.

“Sulmi i bandave të djeshme mbi fushatën e Partisë Demokratike është mbi të gjitha dhe para së gjithash shenja e frikës  së humbjes së pashmangshme të Vangjush Dakos. Por unë u bëj thirrje, hiqini duart e dhunës nga fushata jonë, mos guxoni të prekni rininë demokrate se do t’ju dalë flaka në çati”- u shpreh Basha.

Në Durrës ka edhe një problem tjetër. Kreu i opozitës foli për përpjekje jo vetëm për blerjen e votës, por edhe të ndërhyrjes në rezultat. Megjithatë detajet ende mungojnë.

“Të çajë përpara kjo fushatë, duke çuar mënjeanë çdo pengesë, çdo përpjekje për të blërë votën apo kërcënuar dinjitetin tuaj. Çdo përpjekje mjerane dhe mafioze për të ndryshuar në tavolinë rezultatin, çdo përpjekje për të frikësuar të pathyeshmit rininë demokrate të Durrësit dhe gjithë Shqipërisë”- deklaroi kreu i opozitës.

Partia Demokratike është e bindur se në këto zgjedhje shqiptarët do të ndëshkojnë me votë një Qeveri, që sipas Lulzim Bashes, po i zhyt në mjerim me një shpejtësi të frikshme.

“88% e durrsakëve, 88% e shqiptarëve besojnë se 6 mujori i ardhshëm me këtë qeveri do të jetë më i keq se 6 mujori që po lëmë pas . 1 në 3 familje shqiptare merr borxh ditë për ditë për bukën e gojës, ndërkohë që Gjushi dhe klientela e tij krihen  në projekte luksi dhe korrupsioni”- u shpreh Basha.

“T’i kthejmë njerëzit në dinjitet sepse nuk na kërkojnë gjë tjetër veçse atë që takon, punë dhe të jenë me dinjitet dhe të mos na fshihen dhe të na kapin duart e të thonë, me ty jemi, por të mos na kapi kamera. T’i kthejmë njerëzve dinjitetin se me ata dhe vetëm ata do lulëzojmë këtë qytet” – shtoi kandidatja demokrate e Durrësit, Grida Duma.

Partia Demokratike nuk e ka drejtuar Durrësin që prej vitit 2000, por kreu i opozitës beson se Grida Duma është kandidatura e duhur për të fituar bashkinë e dytë më të rëndësishme të vendit.

“I dëshpëruar është Edi Rama, i dëshpëruar është Ilir Meta, i dëshpëruar dhe i kërrusur është Gjushi që mendon se e ka marrë me tapi Durrësin, por që e di se ditët dhe orët në krye të abuzimit me pushtetin i ka të numëruara, edhe 51 ditë për Gjushin”- u shpreh kryetari i PD.

Top Channel