Një “zonë e vdekur” në Atlantik

02/05/2015 00:00

Edhe oqeani Atlantik ka ‘zonën e tij të vdekur’, në të cilin niveli i oksigjenit është kaq i ulët dhe jeta pothuajse e pamundur, ku mund të jetojnë vetëm disa lloje mikroorganizmash.

Kjo zonë gjendet afër brigjeve të Afrikës Perëndimore dhe është përshkruar në revistën ‘Biogeosciences’. Zona është zbuluar nga grupi shkencor i qendrës gjermane, Helmholtz për kërkimet oqeanografike.

Zona e vdekur, e pamundur për pjesën më të madhe të specieve detare, vjen si rezultat i qarkullimit të rrymave dhe vorbullave të ujit që lëvizin lehtësisht drejt perëndimit.

“Para studimit tonë”, shpjegon studiuesi Karstensen, “mendohej se deti i hapur në Atlantikun Verior të kishte përqëndrim oksigjeni më të ulët, por mjaftueshëm për të mbijetuar peshqit”.

Por tani është zbuluar se në këtë zonë niveli i oksigjenit është 20 herë më i ulët nga sa ishte vlerësuar. Për pasojë është e pamundur të jetohet për pjesën më të madhe të kafshëve detare.

Rrymat oqeanike mund të lëvizin këto zona me pak oksigjen nga brigjet, por një zonë e vdekur që formohet në oqean të hapur nuk ishte zbuluar deri tani.

Top Channel