Kosova me të rinjtë: T’i japim një pamje tjetër Tiranës

02/05/2015 00:00

“Mos mendo për një ditë, por mendo për katër vjet, sepse duke menduar të gjithë pak më gjatë do t’i japim një pamje tjetër qytetit, politikës, Shqipërisë”.

Këtë filozofi të punës së tij, Halim Kosova e ndau me të rinjtë e kryeqytetit, me të cilët u tregua i hapur kur pranoi se Tirana, e drejtuar 4 vitet e fundit nga demokratët, ka ende shumë punë për t’u krahasuar me metropolet europiane.

“Duhet të bëjmë gjithë përpjekjet tona t’i hapim mundësitë që projektet madhore të përparojnë dhe në mënyrë urgjente të shikojmë çfarë nuk ka shkuar në të mirë të qytetarit, çfarë ka ngecur, të vëmë diagnozën mbi hallkat që e kanë penguar këtë lloj rrugëtimi, sepse mbetet kryeqytet, pavarësisht nga emri metropol dhe europian, ka shumë për të bërë që vërtetë ta meritojmë këtë emër”, deklaroi Kosova.

Problem madhor është punësimi. “Kur e shikon se sa të rinj të dalin përpara paradite, është mbështetje, por është edhe keqardhje. Do të uroja që, kur të vija më pas, mos të më dilnin kaq shumë njerëz para për të më pritur paradite, por të ishin të gjithë të zënë me nga një vend pune”, u shpreh Kosova.

Takimet e Halim Kosoves po e ndihmojnë atë dhe stafin e tij për të hartuar programin elektoral, që pritet të shpallet me nisjen zyrtare të fushatës.

“Dhe do ta shikoni që do të jetë shumë i prekshëm, shumë konkret dhe me një vizion shumë të qartë për të ardhmen që të gjithë bashkë do ta realizojmë”, u tha mjeku i njohur qytetarëve. Halim Kosova beson se ka një armë të fortë për të fituar besimin e qytetarëve.

“Gjatë gjithë kësaj kohe si drejtues institucioni kam fituar një përvojë dhe e kam parë sa i vlefshëm është komunikimi direkt me pacientin, me qytetarin, me familjarin dhe këtë do ta transferoj në bashki, sepse është çelësi i suksesit për të mos lënduar njerëz dhe për të bërë atë që duhet në kohën e duhur”, tha Kosova.

Top Channel