PS: Basha ka zgjedhur t’i bëjë bisht përballjes me bilancin e tij të dështuar

02/05/2015 00:00

Partia Socialiste, përmes deputetit të saj Besnik Bare, ka deklaruar këtë të shtunë se, Lulzim Basha ka zgjedhur t’i bëjë bisht përballjes me bilancin e tij të dështuar në krye të Bashkisë së Tiranës.

“Ai fshihet pas një tjetër kandidati dhe kohët e fundit ka filluar të mos duket më fare në Tiranë. Shpreson se, duke u larguar nga Tirana, banorët e kryeqytetit kanë për të harruar dështimet spektakolare të këtij mandati të tij”, u shpreh Bare.

Për deputetin e PS-së, qytetarët e Tiranës e shohin dhe e përjetojnë përditë dështimin dramatik të Bashës, sidomos banorët e zonës së Lumit të Tiranës.

“Sepse në vend të gjelbërimit, terreneve sportive e këndeve të lojërave që u premtoi, ata vazhdojnë sot të përballen me atë mungesë infrastrukture dhe urbanizimi që është kthyer në mallkimin e banorëve të këtyre zonave”, tha Bare.

Ai ftoi qytetarët që, më 21 Qershor “të votojnë për t’i hapur rrugë ndryshimit”.

Top Channel