Ultimatumi i opozitës, Mustafa: Programi nuk kryhet për dy javë

02/05/2015 00:00

Kryeministri i Kosovës Isa Mustafa i është përgjigjur ultimatumit dy-javor të vendosur nga opozita për plotësimin e kërkesave. I pranishëm në Panairin “Prishtina 2015”, Mustafa tha se programi nuk mund të kryhet brenda dy javësh.
 

“Nuk na bëjnë përshtypje asnjë afat, sepse programi nuk kryhet për dy javë, por do të punojmë që të kryet brenda mandatit qeverisës”, deklaroi Mustafa. Megjithatë ai tha se nuk bëhet fjalë për injorim të kërkesës së opozitës.

Pas protestës së 18 prillit, opozita i kërkoi qeverisë së Kosovës shfuqizimin e vendimit për shqyrtimin e jashtëzakonshëm të tarifave të energjisë elektrike dhe shkarkimin e Bordit të ZRRE-së, dorëheqjen e Kryetarit të Gjykatës Kushtetuese Enver Hasani, shkarkimin e ministrit të Drejtësisë, Hajredin Kuçi, shkarkimin e menaxhmentit të RTK-së, Trepça me ligj të veçantë të shndërrohet në ndërmarrje publike me status të veçantë, si dhe të mos themelohet Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe.

Në një konferencë të posaçme për shtyp ditën e shtunë, Lëvizja Vetëvendosje tha se në këto dy javë nuk mori përgjigje prej qeverisë për asnjë prej këtyre kërkesave. Kreu i Vetëvendosjes, Visar Ymeri, tha se opozita do të intensifikojë veprimet dhe aksionet politike për të realizuar plotësimin e këtyre kërkesave.

Top Channel