Azilkërkuesit, landet gjermane i kërkojnë ndihmë qeverisë

02/05/2015 00:00

Kreu i Landit të Sanksonisë së Poshtme në Gjermani, Stephane Weil, ka kërkuar më shumë mbështetje nga qeveria qëndrore gjermane për përballimin e fluksit të azilkërkuesve. Duke folur për të përditshmen gjermane, “Bild”, Weil ka kërkuar të përshpejtohen procedurat e kërkesës së azilit.

“Kudo në Gjermani autoritetet lokale kanë probleme të mëdha”, ka thënë Weil për “Bild”. Ai vijon duke thënë se numri në rritje i azilantëve ka dyndur fshatrat dhe qytetet dhe kjo nuk është detyrë vetëm e qeverisë lokale, por edhe një detyrë e përgjithshme e qeverisë. Weil kërkon që qeveria të marrë pjesë në financimin e strehimit dhe kujdesit të tyre.

Ndërsa ministri bavarez i Financave, Markus Soder, ka thënë për “Der Spiegel” se numri në rritje i azilkërkuesve bën thirrje për një përpjekje kombëtare. Sipas tij, aktualisht qeveria qendrore jep 1 milion euro në vit për trajtimin e azilantëve, duke kërkuar dyfishim të kësaj shume.

Për këtë arsye, javën e ardhshme kancelarja Angela Merkel do të zhvillojë një mbledhje me krerët e landeve për të marrë masat e duhura. Gjermania aktualisht po përballet me fluks të lartë emigrantësh nga vendet e Ballkanit Perëndimor.

 

Top Channel