Hetim trazirave të 1 Majit në Milano

02/05/2015 00:00

Përleshjet e dhunshme të 1 Majit në Milano janë në duart e hetuesisë italiane. Prokurori Francesco Paolo Tronca me grupin e tij të punës do të zbardhin gjithçka rreth protestave që nisën pak para çeljes së panairit ndërkombëtar “Milan Expo”.

Në fakt ky aktivitet me rëndësi të madhe për italianët, ishte planifikuar për të rregulluar deri diku imazhin e zymtë të ekonomisë që ka mbërthyer vendin. Por rrjedha e dhunshme e asaj dite i tregoi botës krejt të kundërtën.

Trazirat vandale në Milano janë cilësuar si akte kriminale dhe të dhënat e para tregojnë se pjesëmarrësit në protestë rrezikojne mbi 10 vjet burg. Shefi i policisë së Milanos u shpreh për kanalin Rai 1 se falë shërbimit të tyre të inteligjencës arritën të parandalonin skena akoma edhe më vandale.

Sipas tij objektivat e demonstruesve të dhunshme ishin krejt të ndryshme: ata donin të bënin më shumë dëme, të arrinin deri tek “Piazza Duomo” dhe “La Scala”, apo të shkatërronin simbolet e panairit “Expo” të vendosura në qytet.

Teksa qyteti i Milanos po mundohet të marrë veten dhe qytetarët kanë nisur punën për pastrimin e rrugëve dhe shesheve, hetimet do të hedhin dritë se cilët ishin protagonistët që hapën zjarr në qytetet,shkatërruan makina, thyen xhamat e bizneseve të ndryshme dhe i hodhën policisë bomba me gaz lotsjellës.

Top Channel