Përgjimet, Juncker kërkon shpjegime nga Gjermania

02/05/2015 00:00

Jean-Claude Juncker shfaqi një interes të veçantë në konferencën e përbashkët për shtyp me Presidenten e Kroacisë, Kolinda Grabar Kitaroviç, ku kreu i Komisionit u shfaq dallueshëm më i sinqertë.

60-vjeçari nga Luksemburgu rrëfeu se Presidentja kroate ishte mikeshë e tij prej vitit 2003 dhe çmoi se anëtari më i ri i Unionit punon më mirë edhe se disa nga vendet e vjetra anëtare, madje dhe themeluese të BE-së.

Fillimisht për Gjermaninë, Presidenti i Komisionit u përgjigj se Brukseli pret nga Berlini mbylljen e skandalit të përgjimeve të BE-së dhe Francës për llogari të Uashingtonit.

“Komisioni duhet të ketë një shërbim sekret sepse agjentët e tyre janë këtu. Nuk e di nëse agjentët gjerman janë aktivë këtu, por e di nga përvoja personale se është shumë e vështirë t’i mbash ata nën kontroll. Autoritetet gjermane duhet të merren me këtë dhe unë pres që ata ta bëjnë këtë”- tha Juncker.

Hungaria ishte vendi tjetër anëtar problematik. Pas 3 ditë heshtje, shefi i ekzekutivit europian i shpalli “luftë” kryeministrit Orban, nëse nuk tërheq deklaratën për rikthim të  dënimit me vdekje. Por, institucioni që garanton zbatimin e traktateve të BE-së nuk përgjigjet qartë nëse Hungaria do të humbasë të drejtën e votës në Këshillin e BE-së, siç parashikon neni 7 i Traktatit të Lisbonës, kur vendet anëtare kryejnë “shkelje serioze të të drejtave të njeriut”.

“Nuk na nevojiten diskutime për gjërat e dukshme. Jam kundërshtar i fortë i dënimit me vdekje për kaq shumë arsye.  Konventa e të Drejtave Themelore në BE e ndalon këtë dhe zoti Orban duhet ta bëjë menjëherë të qartë se ky nuk është qëllimi i tij. Nëse ai do të synonte këtë, do të ishte një luftë”- deklaroi Juncker.

Presidentja kroate tregoi gjatë konferencës për shtyp se në takimin e saj të parë me kreun e Komisionit u fol për zgjerimin me vendet e Ballkanit, ‘një proces që vazhdon pa pengesa si më parë’, siguroi ajo, ‘pavarësisht deklaratës së keqkuptuar të Presidentit Juncker’, pak kohë më parë.

Përgatiti Arta Tozaj

Top Channel