ISIS ekzekuton 300 pengje të komunitetit Jazidi

03/05/2015 00:00

Disa qindra pengje të komunitetit të krishterë Jazidi kanë ekzekutuar për vdekje në Irak nga militantë të Shtetit Islamik, në perëndim të Mosulit. Lajmi është konfirmuar nga zyrtarë irakianë, por edhe përfaqësues të komunitetit në fjalë.

Një deklaratë e lëshuar nga Partia për Progresin e Jazidëve, bënte të ditur se 300 pengje ishin ekzekutuar të premten në qarkun Tal Afar, pranë qytetit të Mosulit.

Zëvendëspresidenti irakian, Osama al-Nujaifi e përshkroi këtë ngjarje të raportuar si “të tmerrshme dhe barbare”. Mijëra anëtarë të grupit të minoritetit fetar janë marrë peng që prej fundvitit të kaluar.

Ende nuk është bërë e qartë sesi janë ekzekutuar ata, apo përse ka ndodhur tani kjo vendimmarje prej ekstremistëve të ISIS, por mësohet se shumica e tyre ishin marrë peng në Mosul, një prej bastioneve më të forta të ISIS, pasi xhihadistët pushtuan rajone të tëra në Siri dhe Irak gjatë vitit 2014.

Jazidët, feja e të cilëve përfshin edhe elementë të disa feve të tjera, konsiderohen si të pafe nga Shteti Islamik. Mijëra të tjerë janë larguar për në rajonet e kontrolluara prej kurdëve, në veri të Irakut, pasi ISIS pushtoi qarkun e Sinjarit, pranë provincës së Nineveh, të populluar kryesisht nga komuniteti Jazidi.

Qindra meshkuj u vranë, ndërsa shumë gra janë mbajtur peng dhe shfrytëzohen si skllave seksi.

Top Channel