Nisin punimet në “Loro Boriçi”. Rama: Gati për ndeshjen me Serbinë

03/05/2015 00:00

Kryeministri i vendit, Edi Rama ka qenë sot i pranishëm në fillimin e punimeve për stadiumin e ri “Loro Boriçi”. Një premtim i bërë disa muaj më parë, por që pas shumë konsultimesh dhe diskutimesh të projektit është ndezur drita jeshile e punimeve.

“Në respekt të të gjithë atyre që i kanë dhënë Vllaznisë emrin që ka, ne duhet t’i kthejmë Vllaznisë atë që meriton. Kur deklarova se do të rindërtojmë Loro Boriçin në Shkodër, ishte e paimagjinueshme, që pas një jave më çonin nga Shkodra mesazhe të tipit ‘pse rrejte, ku e ke stadiumin’. Projekti ka ardhur në këtë formë pas një pune të madhe dhe një dialogu të vazhdueshëm për të përmbushur edhe parametrat e UEFA-s. Mënyra sesi do të plotësohet stadiumi me atë tribunën e ndarë është një frymëzim i arkitektit të shquar nga vetë Shkodra, nga kalaja e Shkodrës”, tha kryeministri Rama.

Edhe ministrja e Arsimit dhe Sportit, Lindita Nikolla ka qenë e pranishme në këtë ceremoni, jo vetëm duke renditur një sërë investimesh që janë bërë deri tani në sport, por duke premtuar dhe shumë të tjera.

“Jam e lumtur që si ministre e Arsimit dhe Sportit të jem pjesë e gjithë këtij organizimi dhe në këtë investim të qeverisë shqiptare. Jam e bindur se historitë e investimeve në sport, në arsim dhe kudo tjetër do të vijojnë duke shënuar një standard të ri”, tha ministrja Nikolla.

Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, gjithashtu ka shprehur falënderimin e tij për mbështetjen që ka marrë nga qeveria, për stadiumin e dytë që do të rikonstruktohet pas atij të Elbasanit, pa harruar edhe objektivin madhor të infrastrukturës sportive në vend, atë të stadiumit kombëtar “Qemal Stafa”.

“Jam i bindur se do të jetë një impiant modern, i cili do t’i plotësojë të gjitha kushtet për të zhvilluar aktivitete ndërkombëtare. Urimi im kryesor është që kryeministri, një ditë e më parë të ndërmarrë nismën për të mbështetur stadiumin kombëtar në Tiranë”, u shpreh Armand Duka.

Pikërisht stadiumi “Qemal Stafa”, tek i cili pritet një investim rreth 70 mln eurosh, ka mbetur prej vitesh i bllokuar nisur edhe nga situata ekonomike dhe mungesa e gjetjes së formës së financimit, por që gjithsesi, kryeministri Rama tha se është objektivi i radhës pas stadiumit të Shkodrës.

Top Channel