OKB, e alarmuar për Nepalin. Ndihmat vonohen nga procedurat doganore

03/05/2015 00:00

Ndihmat e të mbijetuarve të tërmetit në Nepal po vonohen në dogana, thonë Kombet e Bashkuara, që u bëjnë thirrje zyrtarëve vendas të lehtësojnë procedurat në kufi. Shefja e çështjeve humanitare, Valerie Amos e bëri të qartë se përshpejtimi i kontrolleve doganore për ngarkesat e ndihmave, në këtë pikë është detyrim.

Një javë pas tërmetit shkatërrimtar, që mori mbi 7000 jetë njerëzish, të mbijetuarit kanë nevojë urgjente për ushqime, ujë dhe ilaçe, ndërsa tonelata të tëra ndihmash janë të bllokuara në Aeroportin e Katmandusë.

Të shtunën, Baronesha Amos i kujtoi kryeministrit nepalez, Sushil Koirala, se vendi i tij ka firmosur një marrëveshje me OKB-në në 2007-n, për verifikime më të shpejta doganore të ndihmave të dërguara në raste katastrofash natyrore.

“Nga kryeministri mora zotimin e tij se, do të sigurohet që kjo marrëveshje të vihet në zbatim. Shpresoj që, nga ky moment të shohim një përmirësim të çështjeve administrative”, tha Valerie Amos, shefe e Çështjeve Humanitare, OKB.

Të njëjtës ide i mëshoi edhe i dërguari i OKB-së në Nepal, Jamie McGoldrick, sipas të cilit qeveria nuk ka sesi përdor edhe në një rast urgjent si ky, të njëjtën metodologji doganore të zbatuar në kohë paqeje.

Të premten, autoritetet përkatëse hoqën taksat mbi tendat e mushamatë, por nga sa pohoi zëdhënësi i Ministrisë së Brendshme, Laxmi Prasad Dhakal, të gjitha mallrat që vijnë nga jashtë duhen inspektuar. “Është diçka që ne duhet ta bëjmë patjetër”, citohet të ketë thënë ai.

Në terren, ndërkohë, shumë njerëz janë në pritje të ndihmave dhe pakënaqësia për vonesat, natyrshëm është e madhe. Por zyrtarët nepalezë kanë ngritur edhe një tjetër shqetësim. Ata kritikojnë agjencitë e huaja të ndihmës për llojin e produkteve, që janë duke dërguar.

“Kemi marrë artikuj të tillë, si konserva me peshk, ton apo majonezë. Për çfarë na duhen gjëra të tilla neve, këtu? Ne kemi nevojë për drithëra, për kripë e sheqer”, u shpreh ministri i Financave, Ram Sharan Mahat.

Sakaq, fati i mijëra banorëve në zonat e thella të goditura nga tërmeti i së shtunës së kaluar, nuk dihet ende dhe, ndërsa operacionet e kërkimit janë shtrirë edhe në tre rajone të tjera, nuk përjashtohet mundësia që bilanci i viktimave të fatkeqësisë natyrore të thellohet edhe më shumë.

Top Channel