Rama dhe Meta në Shkodër, prezantojnë Keti Bazhdarin: Ky është drejtimi i duhur

03/05/2015 00:00

Nga Shkodra ku prezantoi Keti Bazhdarin, Kryeministri Edi Rama deklaroi fillimin e një tjetër operacioni, atë të ujësjellësave.

“Të zgjidhim problemin e ujësjellësave që janë të zhytur në borxhe dhe janë drejt falimentimit, njësoj si energjia. Tek ujësjellësat do të ndjekim një skemë të ndryshme nga ajo e energjisë, se e kemi të mundur të operojmë me një skemë tjetër”, tha Rama.

Kjo reforme, është njëra nga disa te tilla që do të ndërmerren për njësitë e reja vendore, bashkë me transportin e integruar, reforma që Kryeministri tha se do të japin maksimumin e eficencës së bashkive të reja për shërbimin që do t’iu ofrojnë qytetarëve. E për këtë duhet bashkëpunim me krerët e rinj të pushtetit vendor.

“Para disa kohësh më dërgoi një mesazh një kryetar bashkie nga PD-ja dhe më thotë se e kishte të nevojshme të më takonte, sipas tij, për disa probleme të qytetit. Unë i them se mund ta prisja që ditën e nesërme në zyrë. Më tha, ‘jo në zyrë se më shohin’. Tani si mundet Qeveria të punojë me kryetarë bashkish që kanë frikë se i shohin kur punojnë me qeverinë”, deklaroi Rama.

Duke treguar këtë episod, Kryeministri shtoi një argument përse duhet të votohet Keti Bazhdari në Shkodër, për të cilën premtoi se Qeveria do të financojë rrugën e Velipojës.

“Ajo rrugë kërkon mbështetjen e Qeverisë. Me kë ta bëjë këtë Qeveria? Na duhet Keti Bazhdari, sepse nuk kemi kohë për të humbur dhe nuk kemi mundësi të ndërtojmë një sistem ilegaliteti për të bashkëpunuar me  kryetarët e bashkisë së Partisë Demokratike, sepse ata kanë frikë se i shohin. Unë nuk kam, për të thënë asgjë për kandidaten që Keti ka përballë. Nuk e njoh, nuk e di kush është. Unë e di që ka qenë deputete, por nuk më kujtohet të ketë folur apo të ketë bërë ndonjë gjë që të na ngelte në mendje”, shtoi Kryeministri.

“Unë jam i bindur se të gjithë e gjejnë veten te Keti si kryebashkiake e ardhshme e Shkodrës. Kandidatja jonë është model i suksesit”, tha Meta.

“Kërkoj që ju të ma besoni koordinimin e një misioni të përbashkët. T’i kthejmë se bashku jetën Shkodrës”, u shpreh kandidatja e PS-së në Shkodër, Keti Bazhdari.

Mbështetjen e Qeverisë Kryeministri e ka garantuar jo vetëm për njësitë e reja vendore, por edhe për sipërmarrës që arrijnë të kthejnë bisedës së tyre në shërbim të punesimit. Një pikë e grumbullimit të bimëve medicinale, është një e tillë që ka marrë financim nga qeveria nga fondi i mbështetjes për bujqësinë.

“Prej kaq vitesh një punëtor i palodhur, i cili ka privatizuar shumë vite më parë këtë magazinë të rrënuar, arrin të mbajë jo vetëm familjen, por edhe një numër të konsiderueshëm familjesh, pa asnjë mbështetje nga ai shtet dhe ai pushtet që sot derdh lot krokodili për Kukësin, për varfërinë, për ikjet e me radhë. Ndërkohë që ne sot i dorëzojmë këtë kontratë mikut tonë që do e bëjë që kjo skutë e errët ku bëhet një luftë e përditshme, me një vështirësi të jashtëzakonshme, për të jetuar me një punë të ndershme të kthehet në një magazinë grumbullimi model dhe t’i shërbejë të gjithë qarkut deri në grykë Çajë, duke bërë që të punësohen qindra e qindra familje”, tha Edi Rama.

Top Channel