I mbylli dy herë telefonin Papa Françeskut

03/05/2015 00:00

Falë Zotit që Papa ka sens humori, se ndryshe nuk do ta kishte pritur fort mirë refuzimin e përsëritur të Franco Rabuffit.

Ati i Shenjtë e mori në telefon për ta pyetur mbi gjendjen e tij shëndetësore, e cila duket nuk ka qenë fort e mirë.

Sipas gazetës së Vatikanit, “L’Osservatore Romano”, kreu i Kishës Katolike e bën shpesh një gjë të tillë, aq sa edhe kanë nisur ta thërrasin “Papa i telefonatave të ftohjes”.

Por Rabuffi, me sa duket nuk kishte dëgjuar ndonjëherë për këtë veprim fisnik dhe, duke menduar se dikush po tallej me të në telefon, dy herë rresht, e uli receptorin i zemëruar. Herën e tretë ama, nisi të lëkundej e të besonte se, në anën tjetër të linjës ishte Papa, dora vetë.

“Mbeta pa fjalë, – rrëfeu ai për “L’Osservatore Romano. – Por Papa Françesk më shpëtoi, duke më thënë se, në fakt, e gjithë kjo ndodhi iu duk për të qeshur”.

E si për ta bërë situatën edhe më të besueshme, Ati i Shenjtë e ftoi Rabuffin bashkë me të shoqen në takimin e përjavshëm me besimtarët, në mënyrë që t’i takonte personalisht.

Rabuffi, edhe njëherë kërkoi ndjesë për mbylljen e telefonit dhe Papa, siç mund të prisnin të gjithë që të ndodhte, e fali.

Top Channel