Durrës, Duma vijon takimet me banorët: Modeli im, ai i punës

03/05/2015 00:00

Kandidatja e opozitës për Bashkinë e Durrësit, Grida Duma, ka vijuar me takimet e përditshme në qytetin bregdetar dhe rrethinat e tij, duke u ndalur edhe në zonën industriale të Shkozetit.

Kjo zonë, pavarësisht se ka potenciale të mëdha zhvillimi dhe nga ana urbane është duke u bashkuar me Durrësin dhe zonën e plazhit, ka një varfëri deri në kushte ekstreme sipas PD-së, vuan një mungesë të madhe të punësimit dhe perspektivës, s’ka rrugë, ujë të pijshëm dhe shërbimet më të domosdoshme nga bashkia, e në këtë mënyrë jetojnë si qytetarë të dorës së dytë.

Sipas shtabit të kandidates demokrate, krahas harresës dhe lënies së kësaj zone si një “geto”, edhe qytetarë të tjerë durrsakë janë viktimë e keqqeverisjes dhe përbuzjes nga ana e autoriteteve bashkiake.

Duma, duke iu përgjigjur të ftuarve që ankoheshin për këto tema, i ka ftuar qytetarët të bëhen pjesë e modelit që ajo ofron për Durrësin, bazuar kryesisht te punësimi.
 
“Përlotet një burrë që punon, që nuk na duhet majtas apo djathtas, se janë të gjithë qytetarë e banorë. Dhe ku t’i gjejmë njerëzit që punojnë. Unë jam vetëm për një model; njeriun e punës”, ka thënë Duma.

Në bashkëbisedimin me banorët e kësaj zone, kërkesa kryesore ka qenë punësimi. Ndaj, Duma u zotua se puna e saj do fillojë te hallet e shtëpisë së durrsakëve, te hapja e mundësive për punësim dhe perspektivë për qytetin bregdetar.

“Është e vërtetë që puna është e para, sepse keni nevojë të gjithë. Në fund të ditës shtrihesh në krevatin tënd dhe mendon për hallet e shtëpisë. Aty fillon e gjitha, te hallet e shtëpisë suaj. Duhet të shohim njëri-tjetrin si hallet e shtëpisë”, është shprehur kandidatja e PD-së për Durrësin.

Top Channel