Leje ndërtimi në ish-Bllok, Shkreli: Basha të ndalet, jo leje para largimit

03/05/2015 00:00

Këshilltari i Kryeministrit, Artan Shkreli ka denoncuar një ndërtim 9 katësh që po bëhet me leje të lëshuar tani nga kryetari i bashkisë, në kundërshtim dhe me planin urbanistik të hartuar prej tij.

“Ky është krimi i radhës që i ndodh kryeqytetit. Këtu jemi në zonën e ish-Bllokut, zona me intensitetin më të lartë të ndërtimit në të gjithë Shqipërinë. Pikërisht tani, kryetari në ikje vazhdon të japë leje. Kjo është një ndër lejet më skandaloze. Midis dy pallateve 12-katëshe është dhënë një leje për një pallat 9-katësh, me dy kate nëntokë. Kjo është një leje e dhënë në kundërshtim me qendrën e Tiranës, në kundërshtim me listën e Institutit të Monumenteve të Kulturës, i cili e kishte klasifikuar një vile të vjetër tiranase, të kohës së monarkisë, si një objekt të trashëgimisë kulturore”, tha Artan Shkreli.

Shkreli tha se për lejet e kundërligjshme, të cilat bllokohen nga INUK i bëhet presion Gjykatës Administrative t’i lërë në fuqi, por ne, tha Shkreli, jemi duke e monitoruar këtë situatë  të ndërrimit të administratës së bashkisë ku gjithmonë bëhen tolerime në kurriz të qytetarëve .

“Leja është e bllokuar dhe si në shumë raste të tjera është ndërhyrë pranë gjykatave për të bërë zhbllokimin që kryen INUK-u. Ne do të vazhdojmë të monitorojmë këtë situatë, e cila në ditët e fundit është bërë emergjente për sa i përket shkatërrimit të Tiranës”, deklaroi Shkreli.

Por nëpërmjet një deklarate për shtyp ka reaguar Bashkia e Tiranës,  e cila e konsideron shpifje denoncimin e Shkrelit.

Çdo leje e dhënë në këto dy vite, theksohet në deklaratë, është në përputhje të plotë me ligjin dhe planin urban të Tiranës  dhe çdo bllokim i paligjshme nga INUK është presion korruptiv për të vjelur ryshfetin.

Top Channel