Veliaj: Basha ka braktisur edhe të djathtët

03/05/2015 00:00

Kandidati i Partisë Socialiste për Tiranën, Erion Veliaj, është takuar me banorë të njësisë bashkiake numër 8, e cila prej vitesh është konsideruar si zonë e demokratëve, por në zgjedhjet e fundit më 23 Qershor, ky mit ra.

“Unë propozoj të heqim atë që nuk mbaron punë dhe të vëmë një që mbaron punë. Po ma dhe votën…”, i tha Veliaj një banoreje të zonës.

Kandidati për garën për Tiranën më 21 Qershor, thotë se vetë simpatizantët e së djathtës  i kanë pohuar se janë braktisur nga kreu i demokratëve, i cili është edhe i kësaj lagjeje.

“Më kanë thënë që do të votojnë në drejtimin e duhur për Tiranën sepse janë braktisur nga çuni i lagjes së tyre. Kur nuk shtron dot rrugën te shtëpia jote, për çfarë duhet çuni i lagjes? Kjo është një garë për punë, për Tiranën që ka 4 vite që është në drejtimin e gabuar”, deklaroi Veliaj.

Duke bashkëbiseduar me qytetarët në njësinë bashkiake numër 8 për problematikat e kësaj lagjeje, Veliaj iu përgjigj pyetjes së një vajze me një premtim për ngritjen e një qendre rinore edhe në këtë lagje.

“Kjo lagje nuk ka as qendër rinore dhe as qendër sportive. Unë e kuptoj që ka qenë i paaftë t’i bënte vetë gjërat, por përse i pengon të tjerët t’i bëjnë? Unë e di se çfarë kemi hequr për të bërë qendrën rinore në njësinë 10”, u shpreh Veliaj.

Por, kandidati socialist ka shpalosur një vizion të ri për turizmin në kryeqytet: “Ka më shumë turistë që shkojnë në Korçë sesa vijnë në Tiranë. Komplimente për Korçën, por sa gjynah për Tiranën. Ky çuni i lagjes që jeton në Holandë thotë se nuk e lë Edi Rama, por kur kishte Saliun, si i shpenzonte paratë për turizëm? Fondi i Bashkisë së Tiranës për turizmin ka qenë 450 milionë lekë. E dini sa shpenzonte Luli për turizmin e Tiranës? 4.5%. Ky është i paaftë të shpenzojë ato që ka. Së pari, do të zhvillojmë turizmin në atë që njihet si Tirana e vjetër dhe së dyti, turizmin malor, ku agrobiznesi ka mundësi”.

Top Channel