Një tjetër histori holokausti, por në një rrëfim krejt ndryshe, përcjellë përmes historisë së vërtetë të Maria Altmanit, një gruaje hebreje e mbërritur në Shtetet e Bashkuara, si refugjate nga Austria.

15 vjet më parë – thotë Zëri i Amerikës, – ajo hodhi në gjyq qeverinë austriake për të rimarrë në pronësi pikturën e familjes së saj “Woman in Gold”, të vjedhur nga nazistët gjatë Luftës së Dytë Botërore. Për ngritjen e padisë gjyqësore, ajo punësoi një mik të familjes, Randol Schoenberg.

Historia e zonjës Altman vjen përmes një drame bashkëkohore në sallën e gjyqit.

Edhe pse arti është fokusi i filmit, regjisori Simon Curtis tenton të trajtojë përmes tij një çështje edhe më të rëndësishme; atë të vënies së drejtësisë në vend, qoftë edhe me disa dekada vonesë.

80-vjeçaren e interpreton mjeshtërisht aktorja e shumëvlerësuar britanike, Helen Mirren. Pas mbërritjes së nazistëve në Vjenë, goditjes së komunitetit hebre, vjedhjeve e dëbimeve, Altman dhe të afërmit e saj tentojnë largimin drejt Shteteve të Bashkuara.

Ajo vet arrin të shpëtojë, por prindërit kapen dhe më vonë vdesin në kampet naziste të përqëndrimit. Në ato kohë të trazuara dhe periudhën që pasoi, njerëzit pak e kishin mendjen te sendet që kishin lënë pas, por ishin të përqëndruar te përpjekjet për të rindërtuar jetën në një vend të huaj.

Mjaft prej tyre u përpoqën pas shumë kohësh të rigjenin gjërat që u përkisnin. “Woman in Gold” apo “gruaja në ngjyrë të florinjtë”, një prej kryeveprave të Gustav Klimtit është portreti i tezes së Altmanit, Adele Bloch-Bauer, e cila e kishte magjepsur piktorin e famshëm austriak me pamjen e saj.

Sot kjo pikturë ndodhet në “Neue Gallerie” në qytetin e Nju Jorkut. Filantropi hebre, Ronald Lauder ia bleu Altmanit për 135 milionë dollarë në vitin 2001. Që kur fitoi gjyqin, ajo arriti të rivendoste edhe emrin e tezes së saj të fshirë nga nazistët dhe tashmë piktura quhet Adele Bloch-Bauer.

Top Channel