Veliaj takon prindërit e rinj: Nga 2008-2013 nuk u dha asnjë lekë për fëmijët e porsalindur

03/05/2015 00:00

“Unë e di që kjo ka qenë një periudhë e vështirë për ata që kanë pasur familje të reja. Kur ne kemi ardhur në qeveri zbuluam se 6 milionë dollarë që ishte pagesa për fëmijët e sapolindur që duhej të jepej nga pushteti vendor, nuk jepej që nga viti 2008. Që nga ky vit, 93 mijë fëmijë që kanë lindur deri në 2013 nuk është dhënë asnjë lekë”.

Me këtë konstatim kandidati i mazhorancës për Bashkinë e Tiranës, Erion Veliaj, ju drejtua prindërve të rinj të kryeqytetit gjatë një dëgjese të zhvilluar me ta pasditen e së dielës në “Parkun Rinia”.

Duke dëgjuar shqetësimin e prindërve të rinj lidhur me kushtet në çerdhet e Tiranës, Veliaj premtoi  se do të bëjë të njëjtën gjë siç bëri kur ishte ministër.

“Kur mora postin e ministrit konstatova që prej muajsh nuk paguhej as ndihma ekonomike dhe as ndihma për personat me aftësi të kufizuara. E di që sot e bëjnë këngë, sepse militantët e partisë janë sot pa pagesat e aftësisë së kufizuar . Një kryetar partie, qoftë ky edhe i PD-së, unë e respektoi për mendimin e tij, por nuk mund të fusë dorën dhe të marrë para si invalid kur nuk është invalid. Premtimi im është të sillem në të njëjtën mënyrë”, tha kandidati i së majtës për Bashkinë e Tiranës.  

Ndërkohë, zoti Veliaj shtoi se, në rast të zgjedhjes së tij në krye të Bashkisë, ai do të zhbllokoi menjëherë projektin e banesave sociale dhe bonusin social.

Top Channel