“Expo Milano 2015”, Shqipëria me pavijonin e saj

03/05/2015 00:00

Një nga qendrat europiane të kulturës, artit, muzikës dhe modës, Milano, shndërrohet për gjashtë muaj në shtëpinë e miliona qytetarëve nga e gjithë bota që vijnë për të vizituar ekspozitën universale “Expo Milano 2015”.  Janë rreth 145 shtete, me një numër rekord pavijonesh në të gjithë historinë e Expo-s, 157 pavijone, rrëfejnë traditën më të mirë të traditës ushqimore nga prodhimi në tavolinë.

Nga edicioni i saj i parë i mbajtur në vitin 1851 në Londër, “Ekspozita Universale” është vendi ku çdo pesë vite shtetet rrëfejnë të gjithë potencialin kulturor, traditën, ekonominë, risitë inovative, në një shfaqje gjigande që afron me miliona vizitorë.

Ketë vit ‘Expo Milano 2015’ e vizitojnë 20 milionë qytetarë, ndërsa filli që përshkon panairin është sfida për një ekuilibër mes miliona të varfërve në botë që vuajnë për shkak të urisë dhe pjesës tjetër të popullsisë që kequshqehet, nën moton “Ushqe botën, energji për jetën”. Ekspozimi i më shumë se 90 % të botës në një sipërfaqe prej 1.1 milionë metër katrorë nisi me një ceremoni madhështore dhe elegante si vetë vendi mikpritës.

“Expo është një rast i leverdishëm dhe me perspektivë për të globalizuar solidaritetin. Kërkojmë të mos e çojmë dëm por ta vlerësojmë plotësisht. Na bashkon në mënyrë të veçantë tema ‘të ushqejmë planetin, energji për jetën”, tha Papa Françesk.

“Sot Italia përqafon botën ndërsa përgjatë gjatë muajve që vijnë bota mund të shijojë Italinë, cilësinë, produktet e veçanta por mbi të gjitha si të shijojë dëshirën e madhe që ka vendi për të shkruar një faqe shprese, sepse nuk është e lehtë në këto muaj e vite të përqafosh botën”, u shpreh Kryeministri italian, Matteo Renzi.

Ky është viti i dytë që Shqipëria merr pjesë në panair, pas atij të Hanoverit në vitin 2000. Pavijoni shqiptar, i ideuar nga artisti Edi Hila është pjesë e grupit të shteteve mesdhetare dhe synon të promovojë vlerat e bujqësisë, turizmit, zhvillimit ekonomik deri tek harmonia fetare.

“Koncepti i harmonisë fetare është aty, është unik. Në të njëjtën kohë aty vjen një Shqipëri shumë e gjallë, shumë e re, e cila ofron ngjyra, mundësi, destinacion spektakolar turizmi. Në të njëjtën kohë, Shqipëria është edhe një destinacion për investime të huaja”, tha ministri i Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, Arben Ahmetaj.

“Bujqësia konsiderohet si një mekanizëm i jashtëzakonshëm për të luftuar varfërinë, se toka nuk të tradhton kurrë. Ajo që është më kryesorja, në këtë pavijon ne synojmë të sjellim ato vlera të bujqësisë shqiptare”, u shpreh ministri i Bujqësisë, Edmond Panariti.

“Ne sjellim një gjë shumë të thjeshtë, por që përfaqëson kulturën tonë; kulturën tonë të të ushqyerit; kulturën tonë të të jetuarit; kulturën tonë të të jetuarit për sa i përket harmonisë fetare që ne sjellim”, tha Manjola Gjoni, drejtoreshë e agjencisë së Zhvillimit të Investimeve.

Pavijoni ka afruar mjaft vizitorë që në ditën e parë të tij. Gjatë gjashtë muajve janë parashikuar një sërë aktivitetesh, forume për ekonominë, investimet, turizmin, kulturën dhe artit, ndërsa gjithçka kulmon me ditën e Shqipërisë që përkon me lumturimin e Nënë Terezës kur e gjithë ekspo-ja do të flasë shqip.

Top Channel