“Tirana Open”, çelet festivali i filmit dhe i arteve

03/05/2015 00:00

“Tirana Open”, festivali i librit dhe i arteve, rikthehet ne kryeqytet me një sërë eventesh e të ftuarish specialë, që përfshijnë pesë fusha: ato të letërsisë, arteve pamore, muzikës, arkitekturës e filmit dokumentar.

Ai do të zhvillohet në datat 6 deri në 13 maj, një pjesë pranë Universitetit të Arteve dhe pjesa më e madhe në Pallatin e Kongreseve.

“Kemi menduar Pallatin e Kongreseve sepse na jep mundësinë e shumë ambienteve. Në fakt “Tirana Open” është bërë tani një çati e madhe dhe kishte nevojë për shumë ambiente. Në kati e parë të Pallatit të Kongreseve do të jetë një panair libri me thuajse të gjithë botuesit me botimet e tyre më të reja, ku do të ketë edhe shumë vizita nga shkrimtarë të huaj dhe vendas. Surpriza e madhe është Roberto Saviano, i cili vjen në një nga ditët e panairit”, tha drejtoresha e ‘Tirana Open”, Arlinda Dudaj.

Të ftuar të tjerë në Panairin e Librit, pjesë e festivalit e që do të zhvillohet në Pallatin e Kongreseve, janë shkrimtarët: Giuseppe Catozzella, Victoria Hislop e Drago Jancar.

“Në katin e nëndheshëm zhvillohet “Pamur”-i. Një ekspozitë arti e veprave që konkurrojnë për çmimin “Danish Jukni”. Në çadrën e “Tirana Open” do të jetë muzika, një opera që vjen nga “Biennale Musica” në datën 8, në orën 20:00, në Universitetin e Arteve. Do të kemi koncerte, muzik kontemporane, disa performanca arkitekturore, Festivali i Filmit. Ne presim që të dalë një gjë shumë e mirë. Unë do të doja që të kishte sa më shumë vizitorë”, shtoi Dudaj.

Informacione te detajuara mbi aktivitetet gjenden në website-n tiranaopen.org.

Top Channel