Rama: Shëndetësia, në rrugën e duhur. Një plagë që i ndaluam hemoragjinë

04/05/2015 00:00

Kryeministri i vendit, Edi Rama ka vlerësuar atë çka është bërë në 18 muaj për sistemin shëndetësor, duke e krahasuar atë me një “plagë të madhe” të hapur e që deri më tani i është ndalur hemoragjia.

“Është e sigurtë që nëse 18 muaj më parë plaga e këtij sektori kullonte gjak, sot hemoragjia është ndalur. Nga ana tjetër, pamë se arsyeja e mungesës së ilaçeve lidhej me borxhin e madh që shteti u kishte furnizuesve, që me kontratë u kishte kërkuar furnizimet por nuk i kishte paguar, duke i detyruar që të ndalonin furnizimet. 40 milionë dollarë borxh”, tha Rama.

Rama theksoi mungesën e barnave për shkak të borxhit të krijuar ndaj kompanive farmaceutike. “Kemi relizuar zotimin e rëndësishëm që të mos lejojmë që shqiptarët t’i blejnë ilaçet më shtrenjtë se në vendet e origjinës dhe me heqjen e taksës kemi bërë që çmimet të ulen me 30 për qind dhe shtetit t’i kursejmë 70 milionë dollarë. Spitalet sot kanë ndryshime të dukshme, por ende janë larg së qënit shëmbëlltyra që ne duam”, tha Rama.

Duke radhitur furnizimin me ilaçe, ndërhyrjet në infrastrukturë, paketat shëndetësore falas, kontrollet falas që kanë nisur për moshën nga 45 në 65 vjeç, depistimin e kancerit të gjirit, mjekësinë elektronike, përmirësmin e dukshëm në spitalet e QSUT-së dhe shërbimin e urgjencave, Rama tha se me investimet që do të kryhen do t’i jepet fytyra e duhur sistemit shëndetësor publik.

“Kemi filluar të kthehemi në drejtimin e duhur, edhe pse askush nuk mund të pretendojë që në 18 muaj urgjenca të kishte ndryshuar tërësisht, Sikundër ne vetë nuk pretendojmë se ajo që kemi bërë të mjaftojë për të marrë duartrokitjet e qytetarëve”, vijoi Rama.

Ndërsa ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj u ndal në administrimin e shërbimit laboratorik me partneritetin publik-privat, i cili ka hasur edhe kundërshtime.

“Për fat të keq është pritur jo mirë nga vetë profesionistët, por ajo që kam konstatuar është se të njëjtët njerëz rezultojnë pedagogë, drejtues shërbimesh apo pavionesh, drejtues teknikë në laboratore private dhe importues materialesh. Pa profesionistë shëndetësie nuk mund të arrijmë atë që duam, por si ministër më primare kam kujdesin ndaj qytetarëve”, tha Beqaj.

Kryeministri dhe ministri i Shëndetësisë e vunë theksin tek shëndetësia falas, e cila sipas tyre ka nisur tanimë, për t’u zgjeruar më tej duke kërkuar nëpërmjet mbulimit universal dhe aksesit universal për pacinetët.

Top Channel