Basha: Rama prodhoi eksod në Kukës. Ai mazhtron kur thotë se varfërinë e gjeti këtu

04/05/2015 00:00

Në Kukës, ku Partia Demokratike përfaqësohet në zgjedhje me Bashkim Shehun, ishte rasti që kreu i opozitës Lulzim Basha të akuzonte kryeministrin Edi Rama si shkaktar të eksodit të shqiptarëve.

Duke përmendur ato që i quajti “premtime të pambajtura të qeverisë”, rritjen e çmimit të energjisë elektrike, rritjen e të gjitha taksave për secilin prej qytetarëve të vendit, kreu i opozitës replikoi në distancë me kryeministrin, i cili një ditë më parë foli në Kukës për pasoja të braktisjes së qeverisë së mëparshme.

“Kujt i thotë ky klloun kryeministër, ky me demek kryeministër se situatën e gjeti kështu! Në Kukës ai prodhoi mjerimin, në Kukës ai ngriti krimin dhe korrupsionin monument. Në Kukës ai shkaktoi eksodin më të egër në 25 vite”, deklaroi Basha.

Kukësi është një nga zonat më të prekura nga eksodi dhe Lulëzim Basha u kërkoi banorëve të tij të qëndrojnë në shtëpitë e tyre për të ndryshuar gjendjen me votë.

“Unë ju bëj thirrje se alternativa dhe rrugëdalja nuk është ikja. Kurrë nuk ka ikur Kukësi, por ka ikur e keqja nga Kukësi dhe do të ikë e keqja nga Kukësi në 21 qershor”, tha Basha.

Në Kukës rikandidon Hasan Halili, dikur i zgjedhur si i Partisë Demokratike, por që u bashkua me LSI-në. Duke përmendur edhe rastin e deputetit të opozitës, Ylli Shehu, kreu i opozitës kishte një mesazh për ish-aleatin e vet.

“Sot dua t’i them Ilir Metës se sado shumë të kesh vjedhur e të vazhdosh të vjedhësh nga taksat e shqiptarëve, sado të mendosh se mund të blesh Yll-ra e Hasanë, shpirtin e pamposhtur të kukësianëve nuk do ta blesh dot kurrë”, tha Basha.

Kreu i opozitës prezantoi edhe kandidatët demokratë në Has dhe Tropojë dhe në secilin prej tyre dha mesazhin se zgjedhjet e 21 qershorit janë një shans për të filluar largimin e qeverisë me një fitore plebishitare.

“Me votën tuaj në 21 qershor, ne kemi në dorë t’ua heqim njëherë e përgjithmonë kërbaçin nga dora këtyre boshibozukëve dhe jam i sigurt se do t’ua heqim. Ne kemi në dorë të heqim lakun nga fyti i familjeve të pamundura e ta vendosim atë në qafën e qeverisë të pashpirt Rama-Meta, për ta rrëzuar, për ta përmbysur me votën popullore, me votën tuaj”, u tha Basha banorëve.

Top Channel