Jahjaga mbledh Këshillin e Integrimit: Kosova, ende larg liberalizimit të vizave

04/05/2015 00:00

Institucionet e Kosovës janë larg përmbushjes së kritereve për procesin e liberalizimit të vizave. Kështu u tha në mbledhjen e Këshillit Kombëtar për Integrimin Evropian, i cili u mblodh të hënën me kërkesë të Presidentes së Kosovës, Atifete Jahjaga.

Ministri për Integrimin Evropian, Bekim Çollaku tha se ka ende shumë detyra për t’u përmbushur, dhe se ka ardhur koha që të gjitha institucionet e përfshira në këtë proces të japin maksimumin e tyre.

“Pa dashur të nënvlerësoj punën dhe rezultatet e arritura deri më tani, duke u bazuar nga të dhënat e nxjerra nga monitorimi i vazhdueshëm relevant, duhet pranuar se raporti në formën aktuale nuk rezulton me përmbushjen e kritereve të mbetura. Kjo situatë duhet të merret shumë seriozisht, prandaj duhet të shfrytëzojmë ditët dhe javët e ardhshme për të zbatuar kriteret e mbetura, të cilat janë të njohura për institucionet pjesëmarrëse në këtë takim”, tha Bekim Çollaku, ministër i Integrimeve Evropiane.

Përfaqësuesi i zyrës së BE-së në Kosovë, Samuel Zhbogar tha se procesi i liberalizimit të vizave duhet të kuptohet drejt.

“Ka një konfuzion sa i përket asaj, se çfarë do të thotë liberalizim i vizave. Liberalizimi nënkupton që qytetarët e Kosovës do të jenë në gjendje të udhëtojnë në zonën ‘Schengen’ për turizëm, për biznes. Kjo nuk do të thotë, që qytetarët e Kosovës mund të punojnë apo të studiojnë në Bashkimin Evropian. BE është e vetëdijshme për rëndësinë që ka liberalizimi i vizave për qytetarët e Kosovës. Këshilla ime për secilin nga ne është, të fokusohemi në çështjet që kanë mbetur pa u adresuar. Por dua të konfirmoj atë çfarë ka thënë Anapolus, se ju jeni në kilometrat e fundit të këtij procesi. Me më shumë punë mund të arrini te fundi”, tha Samuel Zhbogar, përfaqësues i zyrës së BE-së në Kosovë.

Presidentja Atifete Jahjaga, duke folur për këtë proces tha se institucioneve të vendit u mbetet të punojnë më me përkushtim dhe më me urgjencë për adresimin e pakënaqësive të qytetarëve, të cilat në këtë raport njihen si faktori, që nxit ikjen e qytetarëve drejt vendeve të Bashkimit Evropian.

Kryeministri Isa Mustafa tha se institucionet e vendit po tregohen të matura, duke kryer të gjitha detyrimet që u janë kërkuar nga BE-ja drejt këtij procesi.

Ndërsa kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli tha se të gjitha institucionet duhet të punojnë aq sa të mos u lënë hapësirë institucioneve dhe zyrtarëve të BE-së për mos heqjen e vizave, duke u arsyetuar me atë se Kosova nuk po kryen detyrat e saj.

Top Channel