Izrael, hebrenjtë etiopianë përleshen me policinë

04/05/2015 00:00

Me dhjetëra policë e demonstrues kanë mbetur të plagosur gjatë protestës së një grupi izraelitësh me origjinë etiopiane kundër brutalitetit të policisë në Tel Aviv.

Edhe pse tubimi nisi paqësor, nuk vonoi shume që ai të merrte kthesë të dhunshme. Mijëra vetë kishin marshuar qetësisht deri në çastet kur një grup i vogël njerëzish u shkëput prej turmës dhe tentoi të sulmonte ndërtesën e bashkisë së qytetit.

Forcat e rendit ndërhynë duke lëshuar gaz lotësjellës, ndërsa protestuesit e egërsuar hodhën drejt tyre shishe qelqi e copa tullash.

Tensionet janë rritur ndjeshëm në vend pas publikimit të një videoje javën e kaluar, ku dy policë godisnin egërsisht një ushtar izraelito-etiopian. Efektivët janë pezulluar nga detyra dhe incidenti po hetohet prej autoriteteve përkatëse.

Në përpjekje për të fashitur zemërimin që ngjallën pamjet filmike, Kryeministri Benjamin Netanyahu vendosi të takohet me ushtarin e rrahur dhe me zyrtarë të sigurisë e të emigracionit.

Kreu i ekzekutivit izraelit e dënoi ashpër episodin, por paralajmëroi gjithashtu për pasojat e vetëgjyqësisë. Megjithatë, rrënjët e problemit duket se janë më të thella.

Një prej manifestuesve i tha një televizioni lokal se ky komunitet është poshtëruar prej vitesh. Nuk jemi të përgatitur të presim më gjatë për t’u njohur si qytetarë të barabartë me të gjithë të tjerët, është shprehur ai.

Shefi i policisë së Tel Avivit, Yohanan Danino tha po për të njëjtin televizion se përdorimi i dhunës nga një pjesë shumë e vogël e grupit të madh të protestuesve nuk i shërben betejës së tyre. “Kushdo që cenon policinë apo civilët do të nxirret para drejtësisë”, ishin fjalët e tij.

Hebrenjtë etiopianë që jetojnë në Izrael janë ankuar prej kohësh për diskriminim; të ardhurat e tyre janë shumë më të ulëta se ato të pjesës tjetër të popullatës, mundësitë e arsimimit i kanë më të kufizuara, ndersa gjasat për të përfunduar në burg, për pjesëtarët e këtij komuniteti, janë më të mëdha.

 

Top Channel