Studiuesit: Oqeani Arktik po hyn në një epokë të re

04/05/2015 00:00

Ndryshimet në Oqeanin Arktik janë kaq të mëdha, sa për të gjithë rajonin mund të thuhet se po hyn në një “erë të re”.

Pas hulumtimesh të zgjatura në terren, shkencëtarët norvegjezë paralajmërojnë se kalimi i gjendjes së mbulesës së akullt nga ajo e një shtrese të trashë tek një fashë e hollë që zhduket me trokitjen e verës, do të ketë pasoja afatgjata. Instituti polar norvegjez ka dërguar një ekspeditë në Arktik gjatë muajve më të ftohtë të vitit.

Për të parë se çfarë ndodh saktësisht atje, shkencëtarëve u është dashur të përballojnë temperatura ekstreme dhe errësirën e plotë. Qëllimi i kësaj nisme ishte grumbullimi i të dhënave mbi kushtet e akullit gjatë dimrit polar.

Një anije kërkimore, The LANCE, është dërguar në një zonë rreth 500 milje larg Polit të Veriut, ku ka kryer shpime në shtresën e akullit. Sipas drejtorit të Institutit, Jan-Gunnar Winther, matjet dhe informacionet e mbledhura mbi atë çfarë ndodh në këtë zonë gjatë dimrit ishin të një rëndësie jetike sa u takon përpjekjeve për të përmirësuar skenarët e ndryshimeve të klimës në të ardhmen.

“Nuk kishim pothuajse asnjë të dhënë mbi dimrin në Oqeanin Arktik, ndaj ky informacion është i një rëndësie të veçantë kur vjen fjala tek të kuptuarit e procesit. Ishim aty në momentet e ngrirjes së akullit në dimër dhe do ta shohim edhe kur të shkrijë në verë. Një epokë e re ka nisur, po shkojmë nga shtresa e akullit të vjetër tek akulli i ri dhe modelet e klimës që përdornim deri tani nuk e përfshinin një informacion të tillë. Me të dhënat aktuale mund të përmirësojmë modelet klimaterike e për rrjedhojë, edhe projeksionet e ndryshimeve globale të klimës”, ka thënë Winther.

Një prej objektivave kryesorë të ekspeditës është të shqyrtohen pasojat e faktit që sot në Arktik shtresa e akullit shumëvjeçar është tkurrur ndjeshëm dhe proporcionet e akullit të ri e më të hollë janë gjithmonë e më të mëdha.

Top Channel