Veliaj fton Halim Kosovën në debat: Qytetarët e Tiranës të njihen me platformat

04/05/2015 00:00

Kandidati i mazhorancës për Bashkinë e Tiranës, Erion Veliaj ka ftuar publikisht kandidatin e opozitës, Halim Kosova, që të dalë në një debat të hapur dhe ku secili prej tyre të shpalosë platformën për qytetarët e Tiranës.

“Kjo është një periudhë e fushatës ku ne po dëgjojmë dhe do të doja shumë që me kandidatin tjetër, në një forum më të madh, të bënim një debat se cili është programi ynë dhe cili është programi i tyre. Një vend kandidat për në BE nuk mund të sillet në mënyrë sovjetike, me politikanët që nuk bëjnë debat. Ata duhet t’i thonë biznesit, Erioni ka këtë ofertë për biznesin e vogël, për taksat dhe punësimin. Të dëgjojmë kandidatin tjetër”, deklaroi Veliaj.

Veliaj ka zhvilluar takim me përfaqësues të biznesit të vogël, të cilët kanë shprehur shqetësimet e tyre lidhur me taksat. Kandidati i mazhorancës tha se nuk do të ketë preferenca për mbledhjen e taskave, të cilat nuk do të rriten.

“Unë nuk kam parë një biznes që të ankohet për taksat e larta të bashkisë. Ata ankohen se 30 për qind i paguan taksat, 70 për qind nuk i paguan. Më shumë i vret padrejtësia se vlera e tarifës. Nuk besoj që qyteti ka nevojë të rrisë taksat dhe tarifat, por ka nevojë t’i mbledhë”, tha Veliaj.

Veliaj tha se është e nevojshme që të ngrihet edhe Këshilli Ekonomik i Bashkisë, në mënyrë që aty të diskutohet çdo vendim për investimet, para se të kalojë në Këshillin Bashkiak, njësoj siç veprohet në Këshillin Kombëtar të Punës.

Ish-ministri i Mirëqënies Sociale, sot kandidati kryesor i mazhorancës, gjatë dëgjesave tha se edhe në bashkinë e re do të ketë një fond për nxitjen e punësimit, në mënyrë që edhe pushteti vendor të ketë mundësi punësimi.

 

Top Channel